Tiranë, gati hipotekimi i 1853 apartamenteve, Basha: 700 milionë euro kapital

Basha në takimin e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë
Bashkia e Tiranës i ka hapur rrugën hipotekimit të 1853 apartamenteve të banimit dhe një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe totale prej rreth 274 mijë m2 ndërtim. Vendimi është bërë i ditur nga kryebashkiaku, Lulzim Basha, i cili mori pjesë në Aktivin Kombëtar të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë.
Jemi të vendosur dhe seriozë në mbajtjen e premtimit të hipotekimit të plotë të të gjithë banesave të pahipotekuara, por të ndërtuara sipas Legjislacionit në territorin e Bashkisë së Tiranës dhe si provë e këtij serioziteti, ndonëse përballë vështirësish jo të pakta, administrata e Bashkisë ka finalizuar punën për lejet e përdorimit për 33 objekte, të cilat do i dorëzohen sot 33 subjekteve ndërtuese,- tha Basha.
Sipas përllogaritjeve të bashkisë, hipotekimi i këtyre apartamenteve do të shkrijë një kapital prej rreth 700 milionë eurosh. Është një lajm shumë i mirë, jo vetëm për tregun bankar, jo vetëm për ju si ndërtues, por për të gjithë ekonominë e qytetit,- tha kryebashkiaku. /F.S/