E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia mund të bllokojë integrimin e Shqipërisë në BE

 Ministria e Jashtme ka informuar Parlamentin me një lëtër sekrete për diskutimet e eurodeputetëve, shkesë e cila është disktuar dje me dyer të mbyllura në Komisionin e Jashtëm.

Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Jashtme, Ilir Melo, i ka dërguar një letër sekrete Kuvendit të Shqipërisë, ku e informon lidhur me dyshimet e eurodeputetëve, të cilat janë ngritur në një seminar lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Zgjerimit, Stefano Sanino, drejtori i Ballkanit Perëndimor në KE, Pierre Mirel dhe eurodeputetët Doris Pack, Maria-Eleni Koppa dhe Elmar Brok. Në këtë takim, eurodeputetja greke, Koppa, ka kërkuar që të shtohen masat dhe kriteret ndaj vendeve që duan të jenë pjesë e BE-së. Sipas eurodeputetes greke, në rast se nuk ka progres në fusha të caktuara, atëherë të krijohet një mekanizëm monitorues pas anëtarësimit në BE.

Por, për drejtorin e Zgjerimit të BE-së, Stefano Sanino, nuk do të ketë asnjë modifikim të kritereve të Kopenhagënit dhe as shtim të kritereve të reja për vendet që kërkojë të jenë pjesë e BE-së. “Procesi i zgjerimit duhet ruajtur dhe duhet mbështetur, pasi kjo e bën këtë proces të besueshëm, çfarë do të thotë se nëse ka ndjekje të agjendës, arritje konkrete, në këtë rast ne duhet të marrim përgjegjësitë e duhura. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë që ka ky proces për stabilitetin në rajon. Duke u ndalur te sukseset e vendeve të rajonit, për vendin tonë u shpreh se bashkëpunimi politik në Shqipëri ka prodhuar tashmë rezultatet e para pozitive”, thuhet në letrën e Ministrisë së Jashtme, cituar nga “Panorama”.

Letra e Ministrisë së Jashtme drejtuar Kuvendit.

Nën kujdesin e eurodeputetës greke, znj. Maria-Eleni Koppa, e grupit S&D, Komisioni i Çështjeve të Jashtme në PE zhvilloi një seminar me temë: “Zgjerimi: politikat, kriteret dhe interesi strategjik i BE-së”. Presidenti i AFET, z. Elmar BROK, eurodeputet gjerman i grupit EPP, në fjalën e tij ndër të tjera theksoi se zgjerimi është një proces, i cili përfshin shumë elemente ndër të cilat edhe problemet dypalëshe, të cilat sipas z. Brok duhet të zgjidhen përpara se vendet e Ballkanit të bëhen anëtare të BE. Anëtarësimi, theksoi ai, nuk është një dhuratë, dhe zgjerimi është një proces përfitimi “ëin-ëin”.

Eurodeputetja, znj. Koppa, vlerësoi kushtëzimin për vendet, të cilat kërkojnë të jenë pjesë e BE-së dhe kërkoi që të krijohet një mekanizëm monitorues pas anëtarësimit në BE. Gjithashtu, ajo u shpreh për përpilimin e një raporti strategjik për vendet të cilat kërkojnë të anëtarësohen në BE.

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit, z. Stefano Sannino, duke u ndalur te sfidat e lidhura me këtë proces u shpreh se ndër më kryesoret është gjetja e mënyrës se si të pajtohen pritshmëritë e vendeve kandidate, ritmet e tyre të zhvillimit, sistemi i tyre i drejtësisë me normat tona, duke u nisur nga realiteti i brendshëm i secilit vend. “Optika jonë është përshtatje dhe fleksibilitet sipas veçorive të vendeve kërkuese”. Për sa i përket mekanizmit të monitorimit pas anëtarësimit, z.Sannino u shpreh se vendosja e një mekanizmi të tillë cenon besueshmërinë e procesit, pasi nënkupton mosplotësim të kushteve të anëtarësimit, pra një proces i cili nuk bazohet në meritë, por në konsiderata politike.

Më tej ai shtoi se ne (Komisioni) nuk jemi për modifikimin e kritereve të Kopenhagenit dhe as për shtimin e kritereve të reja për vendet kërkuese. Procesi i zgjerimit duhet ruajtur dhe duhet mbështetur, pasi kjo e bën këtë proces të besueshëm, çfarë do të thotë se nëse ka ndjekje të axhendës, arritje konkrete, në këtë rast ne duhet të marrim përgjegjësitë e duhura. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë që ka ky proces për stabilitetin në rajon. Duke u ndalur te sukseset e vendeve të rajonit, për vendin tonë u shpreh se bashkëpunimi politik në Shqipëri ka prodhuar tashmë rezultatet e para pozitive.

Lidhur me dialogun Serbi-Kosovë, z. Sannino u shpreh se ka pasur progres, por ka shumë punë për t’u realizuar. Në konkluzion, ai u shpreh se ekonomikisht të gjithë janë të fituar nga zgjerimi dhe në një periudhë afatgjatë, ideja e Bashkimit të Europës duhet të bëhet realitet. Z. Sannino u shpreh se BE ka ndryshuar përqasje në lidhje me vendet kandidate: “Ne duam të shihemi si partnerë dhe jo si një mësues i keq”.

Në fjalën e tij, z. Pirre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, ndër të tjera nënvizoi se kriteret e Kopenhagenit nuk duhet të ndryshojnë. BE nuk e ka shumë të vështirë “të integrojë Ballkanin Perëndimor dhe impakti i këtij zgjerimi do të jetë i vogël për BE-në, në rast se plotësohen të gjitha kushtet e anëtarësimit, dhe sidomos zgjidhja e problemeve bilaterale. Ai bëri thirrje që procesi i pajtimit në rajon “reconciliation” të vazhdojë dhe kërkoi më shumë mbështetje për shoqërinë civile. Për të ecur drejt BE-së me sa më shumë efikasitet, gjetja e një konsensusi brenda vendeve është e një rëndësie të veçantë, përfundoi fjalën e tij z. Mirel.

Nga EPC (European Policy Centre), znj. Rosa Balfour, duke folur për perspektivën e procesit të zgjerimit, u shpreh se e drejta e vetos së shteteve anëtare duhet rishikuar, pasi përbën një problem për vendet kandidate. Në lidhje me liderët politikë të rajonit, ajo u shpreh se konstatojmë se ata ndryshe flasin në Bruksel, e ndryshe te vendet e tyre, dhe ky është një problem që duhet të zgjidhet.

Për sa u përket zhvillimeve në rajon, ajo u shpreh se kohët e fundit kemi parë zhvillime pozitive në Shqipëri, ndërkohë që lidhur me Kosovën ajo shprehu shqetësimin mbi mosnjohjen e Kosovës nga disa vende anëtare. Për Turqinë ajo u shpreh se BE ka lënë një rast të iki, pasi sipas saj Turqia është më pak e interesuar për BE.

Për Serbinë e vetmja zgjidhje është BE-ja, edhe pse Serbia herë pas here e përmend dhe Rusinë. Bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie shumë të madhe dhe iniciativat politike për zgjidhjen e problemeve në rajon janë të mirëpritura (shembulli i Kroacisë me Slloveninë). Përgatitja e një kuadri rajonal për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis vendeve të rajonit është domosdoshmëri, u shpreh znj.Balfour. Eurodeputetja, znj. Doris Pack, duke u ndalur te problemet bilaterale, u shpreh se duhet që të gjitha vendet e rajonit të veprojnë si Kroacia, e cila është angazhuar që nuk do të pengojë kurrë vendet e tjera për t’u anëtarësuar për arsye kufijsh.

Ndërsa lidhur me të drejtën e vetos, ajo u shpreh se kjo çështje duhet parë, sepse po të anëtarësohet Serbia, në Kosovë ekziston frika që të mos futet asnjëherë në BE. Lidhur me dialogun me Kosovën, ajo theksoi se Serbia duhet të respektojë angazhimet e marra.

Përgjithësisht, eurodeputetët në fjalën e tyre u ndalën te rëndësia e mbështetjes së shoqërisë civile, kapacitetet e absorbimit të BE-së, reflektimin e politikës së fqinjësisë së mirë, vendosjen e një kalendari nga BE për zgjerimin, kundërshtimin ndaj idesë së krijimit të një mekanizmi monitorues për vendet anëtare, përshpejtimin e procesit të zgjerimit. /Start/

                                                                                             2012-04-10 10:55
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›