Tiranë, grabitet një pikë bastesh

Një pikë bastesh sportive është grabitur mbrëmë pak para mesnate në Tiranë. Grabitja ka ndodhur në lagjen pranë rezidencës Kodra e Diellit, pak minuta pas përfundimit të ndeshjeve të futbollit të kampionateve europiane.
Policia tha se dyshohet që grabitja të jetë kryer nga 2 persona, të cilët besohet se kanë qenë të armatosur me armë automatike dhe të maskuar.
Pasi kanë marrë paratë, 2 personat janë larguar me shpejtësi me një makinë. Ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të disa prej sfidave më të rëndësishme të kampionateve të futbollit spanjoll, italian dhe anglez. Në pikën e basteve në kohën e grabitjes ndodheshin 10 persona.
Pronari i lokalit ka njoftuar policinë e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin për gjetjen e autorëve. Policia tha se graqitësit kanë marrë rreth 300 mijë lekë. Dyshohet se dy personat janë përgjegjës edhe për një sërë grabitjesh të tjera të pikave të basteve.