E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, hapet panairi "Work and Study"

TIRANE- Panairi "Work and Study", i cili zhvillohet në kuadrin e Javës Evropiane të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme, u hap sot në Pallatin e Kongreseve.
Panairi është iniciativë e promovuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Ndërmarrjeve dhe Industrive të Komisionit Evropian dhe organizohet nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, tha se "punësimi, aftësia dhe zhvillimi janë qëllimi kryesor i këtij panairi. Punësimi i të rinjve është një sfidë, me të cilën duhet të përballemi dhe për këtë Dhoma e Tregtisë ofron gjithë mbështetjen e nevojshme institucioneve përkatëse, të cilat duhet të bashkojnë fuqitë e tyre".

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, theksoi në çelje të panairit, se "Bashkimi Evropian ka lëvruar 2.2 milion euro, nga parat e mbledhura prej taksapaguesit europianë, për të promovuar dhe fuqizuar më tej politikat e Qeverisë shqiptare në lidhje me ndërmarrjet e mesme dhe të vogla (SME), për të përmirësuar kapacitetet e tyre, si dhe forcuar konkurrueshmërinë e tyre, me qëllim gjenerimin e punësimit si dhe rritjes së nivelit të shërbimeve sipas standardeve të tregut europian".

Ambasadori Sequi bëri me dije se "në 2010-ën, SME-të regjistruan një progres, si rrjedhojë e reformave rregullatore, të cilat duhet të vijojnë më tej, duke u bazuar në shtetin ligjor, garantimin e të drejtave të pronësisë, përmirësimin e zbatimit të kontratave, përmirësimin e produkteve të importuara si dhe përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe infrastrukturës".

Ndërkohë, në fjalën e tij ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, garantoi se ministria që ai përfaqëson, mbështet dhe do vijojë të mbështesë të gjitha nismat private, dhe në veçanti ato që kanë lidhje me bizneset e vogla dhe të mesme, duke u kthyer në avokatin e tyre më të mirë.

Ndërsa, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, u shpreh se "kjo ekspozitë do të shërbejë për të plotësuar bazën e vendeve të lira të punës. Java evropiane e SME-ve është shumë e rëndësishme, ajo na dikton politika të rëndësishme, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të punës, duke parë dhe vëmendjen që po tregojnë vendet e rajonit me rritjen e investimeve në vendin tonë".

Ministri i Punës, Spiro Ksera, ai i Ekonomisë, Nasip Naço dhe zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, firmosën marrëveshjen tre paleshe për "Strategjitë e të mësuarit për funksionimin e sipërmarrjeve".
(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›