E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Kelmendi dënohet me 18 muaj burg

TIRANE Gjykata e Tiranës dënon me 1 vit e 6 muaj heqje lirie Ylli Kelmendin, për akuzën e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Vendimi ndaj dëshmitarit okular në ekzekutimin e Fatmir Ramës në vitin 2003, të njohur si Miri i Xhikes, u shpall dy ditë më parë në Gjykatën e kryeqytetit nga gjyqtarja Alkelina Gazidede. Pas pesë seancash gjyqësore ai u deklarua i fajshëm për akuzën e ngritur nga Prokuroria në emër të tij. Për shkak të gjykimit të tij me kohë të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës, në vendimin përfundimtar ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Përfundimisht, i pandehuri Ylli Kelmendi dënohet me 18 muaj burgim, thuhej në vendimin e Gjykatës. Po sipas vendimit, armët dhe municionet që iu sekuestruan atij pas arrestimit do të kalojnë në llogari të shtetit. Ylli Kelmendi u arrestua më 1 dhjetor të vitit të kaluar, në një nga baret e rrugës Xhorxh W. Bush, pranë godinës së Parlamentit në Tiranë.               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›