Burgaj: Qëllimet tona për ndryshimin e strukturave
Kreu i Policisë së Shtetit ka shpjeguar dje edhe ndryshimet e fundit strukturore në polici. Sipas tij, këto ndryshime janë bërë për një sërë qëllimesh, ku më kryesorja është rritja e cilësisë së punës në Policinë e Shtetit. Gjithashtu, ai shtoi se ndryshimet kryhen edhe për shkak të përshtatjes së aftësive të personelit policor, me postin e punës dhe menaxhimin më të mirë të burimeve njerëzore, që ka në dispozicion kjo strukturë. Gjatë fjalës së tij, ai vuri në dukje disa nga ndryshimet më thelbësore. “Në përbërje të Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, është ngritur Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, e cila ka përmbledhur të gjitha kapacitetet për mbështetjen e veprimtarisë hetimore dhe operacionale, që zhvillojnë strukturat e këtij departamenti. Gjithashtu, në përgjegjësinë e Drejtorisë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve është Sektori për Hetimin e Aseteve Kriminale”, tha Burgaj. Më tej, ai shtoi se në Drejtorinë e Analizës së Informacionit Kriminal u krijua Sektori i Cilësisë së Informacionit dhe Auditimit, MEMEX, i cili është shtrirë edhe në Drejtoritë e Policisë në Qarqe. “Ndërkaq, ndryshime ka pasur edhe në Departamentin e Sigurisë Publike, ku janë krijuar Drejtoria e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit, Drejtoria e Policisë Rrugore”, tha Burgaj, duke mos harruar të përmendë edhe strukturën e veçantë, e cila është Drejtoria e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar. Për strukturën e re të policisë foli edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili deklaroi se policia ndërmori një nga reformat më të thella strukturore në historinë e saj.
#