E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita paralajmëron: Kursi i qeverisë na çon te skenari grek

Rama: Do të anulojmë privatizimet e aseteve të ushtrisë

Ndarja politike në Shqipëri përcakton qëndrime të kundërta edhe për sa u përket shifrave të ekonomisë dhe parashikimeve rreth saj. Mrekullisë ekonomike dhe entuziazmit qeveritar, opozita socialiste i ka kundërvënë opsionin e një katastrofe të ngjashme me skenarin grek, për të cilin prej kohësh ajo po paralajmëron qytetarët shqiptarë. Dhe në fakt një gjë të tillë e ka bërë dje edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili në bashkëbisedimin me gazetarët ka nënvizuar rrezikun me të cilin ballafaqohet sot ekonomia e Shqipërisë. “çfarë kambane alarmi më të fortë kërkoni nga FMN, sesa paralajmërimi se në këtë rrugë na pret një fund edhe më i frikshëm se ai i skenarit grek, që u akumulua në disa dekada, ndërkohë që këtu kemi një akumulim në disa vite”, u shpreh Rama. Për të theksuar seriozitetin e paralajmërimit të tij dhe për të përcjellë mesazhin e një analize konkrete të opozitës, ai shoqërohej në këtë dalje të tijën nga ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, aktualisht kryetar i Këshillit Ekonomik Kombëtar të PS-së. Një e dhënë plotësuese që dëshmon se si kriza po tentohet të fshihet pas shifrave jo shumë transparente të qeverisë është dhënë nga ish-guvernatori lidhur me borxhin dhe me skemën institucionale që po publikon shifra jo të vërteta. “Nuk është problem vetëm kriza, por problem më i madh është e panjohura ku po na çon qeveria...shqiptarët një ditë të bukur do të shohin që borxhi publik nuk na qenka 60%, nuk është 61%, por është rreth ose mbi 100%... Shifrat, të dhënat vazhdojnë të manipulohen. Po merrem me një të dhënë të fundit që ka dhënë INSTAT-i. është një treshe Qeveri- Bankë e Shqipërisë- INSTAT që po na çon në këto të panjohura”, deklaroi Cani. Të panjohura të cilat në artikulimin politik të kryetarit socialist i afrohen versionit grek, që lidhet jo me krizë dhe regres, por me prag falimentimi kombëtar. Ndërkohë kritika janë adresuar edhe për sa i përket rishikimit të buxhetit, për të cilat Rama dhe Cani vlerësuan se nuk merr parasysh realitetin. Përtej këtij konstatimi dramatik për vendin, Rama nuk ka munguar që të akuzojë hapur edhe praktikat korruptive të privatizimeve të mjediseve të ushtrisë, që është bërë së fundmi publik nga Ministria e Ekonomisë. “...së fundmi është lëshuar në një proces privatizimesh tjetërsimesh të pasurisë publike në emër të mbledhjes së të ardhurave... Këtu kam parasysh së fundmi të gjithë listën e aseteve të ushtrisë, të vendosura në dispozicion të Ministrisë së Ekonomisë për privatizim, me çmime qesharake, që nuk kanë lidhje me çmimet e tregut, e me një proces kryekëput jotransparent dhe thellësisht korruptiv... Ne sot, nesër e më tutje, si opozitë dhe si qeveri në të ardhmen e afërt, do t’u shkojmë deri në fund këtyre praktikave, do t’i zbardhim tërësisht dhe do t’i anulojmë të gjitha ato praktika dhe procese privatizuese e tjetërsuese që janë bërë me qëllime thjesht dhe vetëm”, deklaroi Edi Rama. Kjo prezencë e kombinuar e PS-së që i jep publikut si akuzën politike, ashtu edhe analizën teknike, përcakton një fazë të re opozitarizmi që me shumë mundësi në muajt në vijim do të përqendrohet tek ekonomia, kriza e së cilës mbetet ndër të tjera edhe peng i legjitimitetit elektoral.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›