E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tiranë, i vodhi kasafortën babait me mijëra euro dhe paund, policia prangos 33- vjeçarin

Policia e Tiranës raporton se ka prangosur një 33- vjeçar, pasi akuzohet për vjedhje brenda familjes. Sipas policisë, shtetasi me inicialet E. S., vodhi në banesën e babait të tij një kasafortë, e cila kishte brenda një shumë të konsiderueshme parash dhe aksesorë të ndryshëm floriri.

Gjatë kontrollit, policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë një pjesë e parave të vjedhura (10 530 paund dhe 27 030 euro).

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kasaforta”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi i shtetasit E. S., 33 vjeç banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 33-vjeçari ka vjedhur në banesën e babait të tij, në rrugën “Riza Cuka”, kasafortën brenda së cilës kishte 27 200 euro, 11 000 paund, 910 000 lekë dhe aksesorë të ndryshëm floriri. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pjesë e parave të vjedhura (10 530 paund dhe 27 030 euro). Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.”- njofton policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›