Tiranë, kapet 1 kg heroinë, 2 në pranga
Një kilogram heroinë është sekuestruar në Tiranë, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy poseduesit e saj. Sipas policisë së kryeqytetit, në kuadër të operacionit Rrugicat janë arrestuar Fation Kurti, 24 vjeç dhe Entel Hyka, 28 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët janë kapur me disa doza heroine.
Më pas, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Kurtit është gjetur edhe sasia prej 1 kilogram lëndë narkotike e llojit heroinë.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi edhe 7 telefona celularë dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e drogës.
Hetimet në kuadër të këtij operacioni nxorën se trafikimi i lëndës kryhej në zonat e Rrugës së Kavajës, rrugës Myslym Shyri dhe te Zogu i Zi, ku heroina blihej nga klientë VIP.
Dyshohet se grupi trafikonte heroinë edhe në vendet fqinjë me Shqipërinë, ndërkohë që policia vijon hetimet për identifikimin e të tjerë personave që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet. / G. Ndoja