E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, masakron pronarin e shtëpisë për 40 mijë lekë qira

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 17-05-2011 11:00

Tiranë- Mospagimi në kohë i qirasë së shtëpisë është kthyer në një tragjedi të vërtetë në Tiranë, ku një 57-vjeçar ka mbetur i vdekur, pasi është goditur disa herë më thikë. Ngjarja e rëndë nga ndodhur paraditen e djeshme në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në kryeqytet, ku 57- vjeçari Sami Kapllani kishte shkuar për t’i kërkuar qiranë e vonuar të shtëpisë Ylvi Kodrës, i cili banonte i vetëm, pasi ishte divorcuar disa vite më parë. Nga banorët e zonës mësohet se Kapllani kishte një shtëpi private dy -katëshe, të cilën e kishte lëshuar me qera dhe vetë jetonte në një prej dhomave të shtëpisë. Sipas deklarimeve të dhëna përpara efektivëve të policisë nga të afërmit e viktimës mësohet seYlvi Kodra, prej rreth 2 muajsh nuk i kishte paguar qiranë Kapllanit dhe në këto kushte, ky i fundit ishte detyruar që herë pas here t’i kërkonte lekët e vonuara, të cilat kapnin vlerën e 40 mijë lekëve të reja. Kodra ka refuzuar t’i paguante qiranë, me pretendimin se nuk kishte para. Banorë të zonës tregojnë se Kodra prej vitesh kishte shitur shtëpinë e tij dhe të gjitha paratë i kishte lënë në bixhoz. Ata shtojnë gjithashtu se edhe lekët e qirasë, të cilat duhej t’ia jepte Kapllanit, ai i kishte humbur në kazino.

Gjatë ditës së djeshme, viktima kishte takuar sërish Ylvi Kodrën dhe i kishte kërkuara lekët, ose në të kundërt do ta nxirrte nga shtëpia. Në këto momente, ka nisur dhe konflikti mes dy personave. Fillimisht me fjalë e më pas ka degjeneruar deri në konfrontim fizik. Në këtë kohë, 61- vjeçari Kodra ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar disa herë në kokë dhe në qafë Kapllanin, duke i shkaktur plagë të rënda. Personat e tjerë, të pranishëm në momentin e konfliktit kanë ndërhyrë për të qetësuar dy personat, por janë tronditur kur kanë parë Kodrën duke goditur me thikë pronarin e shtëpisë 2-katëshe. Brenda pak minutash, 57 vjeçari i gjakosur është dërguar për në Spitalin Ushtarak, por sipas mjekëve ai ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital, për shkak të plagëve të rënda, të marra në kokë dhe në qafë. Nga ana e saj, Policia e Tiranës bën të ditur se vetëm pak minuta pas ngjarjes bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar, i cili ishte në tentativë për t’u arratisur. “Falë një pune të menjëhershme të strukturave të policisë, në një kohë tepër të shpejtë, u arrit identifikimi dhe kapja autorit të vrasjes, i cili dyshohet të jetë 61 vjeçari Ylvi Kodra, me banim rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë. Autori u kap në flagrancë, së bashku me armën e ftohtë të krimit, në tentativë duke u larguar nga banesa, pak momente pasi kishte kryer krimin”,-thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës. Nga hetimet e para dyshohet se motiv i ngjarjes së rëndë është qiraja e papaguar nga ana e autorit, pasi ky i fundit jetonte në banesën e viktimës. Pas arrestimit të autorit, policia ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje dhe materialet në ngarkim të tij i janë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës. Për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje, policia ka marrë në pyetje qiraxhinjtë e tjerë të viktimës dhe të afërm të tij, si dhe autorin e këtij krimi, që ndodhet në ambientet e izolimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›