Dëshmitari: Pashë pronarin të masakruar me thikë
Tiranë- Një prej qiramarrësve të Sami Kapllanit, i cili ka qenë prezent në momentin e konfliktit, tregon për “MAPO” disa detaje nga ngjarja e rëndë. Ende i tronditur nga ajo çfarë ndodhi, dëshmitari pohon se konflikti ka rrjedhur me shpejtësi, duke sjellë edhe vrasjen e 57-vjeçarit.“Kam qenë në dhomë, kur dëgjova zhurmë jashtë në oborr. Dola për të parë se çfarë po ndodhte dhe pashë Samiun me Ylviun që po konfliktoheshin mes tyre. Në një moment, pashë që Samiut po i dilte gjak nga koka. Ishte akoma në këmbë dhe dëgjova që më tha: “Më qëlloi”. Menjëherë bashkë me bashkëshorten e tij e morën dhe e nisëm për në spital, ku më pas mësuam se ndërroi jetë” – tregon dëshmitari. I pyetur në lidhje me raportet mes dy personave, ai u shpreh se nuk kishte shume dijeni në lidhje me këtë gjë, por shtoi se prej disa muajsh autori nuk i kishte paguar qiranë viktimës, gjë kjo që solli më pas dhe krimin e djeshëm. Ndërkohë, ai nuk arrin të kujtojë detaje të tjera në lidhje me konfliktin mes dy personave, pasi shprehet se është ende i tronditur nga ajo që ka parë. “Nuk më kujtohet asgjë, pasi ende nuk po marr veten nga ajo që pashë” – mbyll rrëfimin e tij njëri prej dëshmitarëve të ngjarjes.