E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, nga sot parkimi me pagesë


Duke filluar që nga dita e sotme hyn në fuqi vendimi për aplikimin e pagesës për parkimin e makinave.
Sistemi i ri zbatohet në dy zona kryesore të Tiranës: Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" (dhe disa akse rrugore rreth tij) dhe sheshi "Italia", pranë stadiumit "Qemal Stafa".
Përparim Goxhaj, inspektor në Bashkinë e Tiranës në një prononcim për "Ora News" tha se parkimi kryehet nga e hëna në të premte nga ora 08:00-20:00. Parkimi për një orë kushton 100 lekë të reja dhe lejohet deri në 3 orë. Në rast se tejkalohet orari, atëherë nga Bashkia e Tiranës merren masa ndëshkuese.
Goxhaj bëri me dije se drejtuesi i automjetit mund të marrë sasinë e biletave që dëshiron, duke vendosur vetë në biletë orën dhe ditën përkatëse kur ka parkuar.

Ky lloj sistemi parkimi do të aplikohet në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke filluar nga kryqëzimi mes dy Ministrive, deri tek Ura e Madhe e "Dajtit", Bulevardi "Gjergj Fishta", nga Ura e madhe e "Dajtit", deri tek Ura "Dëshmorët e 4 Shkurtit" dhe që nga kryqëzimi i rrugës "Myslym Shyri" me rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", deri tek Ura e Re e Bllokut. Gjithashtu, zona tjetër është zona përpara stadiumit "Qemal Stafa", që është sheshi "Italia", me të gjithë rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›