Tiranë, organizohet “Karta e Adriatikut”

Delegacione nga të gjitha vendet e rajonit do të mblidhen në Tiranë në konferencën me temë "Karta e Adriatikut, Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor", që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë në datat 24-25 tetor 2011.
Të pranishëm në konferencë krahas delegacioneve nga parlamentet e Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, do të jenë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ambasadorë të akredituar në Tiranë, ministra, përfaqësues të institucioneve që lidhen me sigurinë, aktorë jo shtetërorë, si dhe profesor Donald Abenheim, ekspert në çështjet e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School në Monterei të Kalifornisë.
Procesi i zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor përbën një sukses historik dhe shënon një kapitull të ri në uljen e tensioneve, forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal drejt një të ardhmeje plotësisht të integruar në institucionet euroatlantike. Aderimi i Bosnje-Herzegovinës dhe Malit të Zi në Planin e Veprimit për Anëtarësim dhe Kartën e Adriatikut krijon mundësinë e forcimit të partneritetit për shpejtimin e reformave demokratike, politike, ekonomike të sigurisë e të mbrojtjes, kulturore dhe të mjedisit.
Qëllimi i kësaj konference është mbështetja e axhendave të përbashkëta nga parlamentet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas drejtimeve të konceptit strategjik të miratuar në Lisbonë.