E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, pallatet e reja do hipotekohen. Ja marrëveshja

TIRANE-Të gjitha banesat në pallatet e ndërtuara vitet e fundit në Tiranë do të pajisen me hipoteka. Kjo u deklarua sot pas një Memorandiumi që u nënshkrua mes Kryebashkiakut Lulzim Basha, Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi dhe atij të Drejtësisë, Eduart Halimi.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Basha, Olldashi dhe Halimi konkretizuan me fjalë marrëveshjen që u firmos sot, dhe premtuan se qytetarët nuk do të hasin vështirësi në këtë proces pasi cdo hap do të lehtësohet falë bashkëpunimit trepalësh.
Basha
“Unë realizoj sot një premtim elektoral. Hipotekimin e të gjitha banesave të pahipotekuara këto vitet e fundit. Deri dje banorit që ka paguar e blerë banesën i është mohuar e drejta të jetë pronar, por nga firmosja e këtij memorandiumi do të nisë një erë e re. Jo vetëm që halli i tyre do marrë fund, por do te nise edhe nje erë e re në bashkëpunimin mes pushtetit qëndror dhe atij lokal.

Basha theksoi gjithashtu se shteti nga kjo masë e re, do të privohet nga një shumë 700 milionë lekë që pronarët e pallateve i kishin borxh nga regjistrimi i objeketeve. “Por, më shumë rëndësi ka që qytetari të gëzojë pasurinë që iu deri dje iu mohua edhe pse pagoi lekë në dorë për ta patur. Pas kësaj, 700 milionë euro si shumë kolaterali e këtyre apartamenteve të pahipotekuara, nesër ato do jenë pasuri e qytetarëve, por edhe një kolateral i fuqishëm në bankat e Tiranës dhe garanci për rritje ekonomike dhe punësim”.
Kryebashkiaku premtoi se Bashkia Tiranë nga dita e sotme që nënshkruan këtë memorandium do të nisë një bashkëpunim të pastër dhe aspak burokratik me ministritë përkatëse.
Basha theksoi se premtimi elektoral do të ishte nënshkruar dhe më parë, por vonesat në tejzgjatjen e procesit elektoral, shtynë dhe vonuan dhe këtë gëzim të qytetarëve.
I pyetur sesi do të procedohet me banorët në pallatete ku ka konflikt pronarë tokë-ndërtues, Basha premtoi se banorët që kanë blerë apartamente dhe nuk ka probleme të këtij lloji do pajisen shumë shpejt me hipoteka. Kurse për pjesën ku ka shkelje, Basha garantoi se Bashkia falë punës me Ministrinë e Drejtësisë dhe Transporteve do të dijë të dallojë dhe ndaje të drejtën e banorit që ka blerë pallatin nga përgjegjësitë e ndërtuesit apo konfliktit që mund të ketë ndërtuesi me pronarët e ligjshëm të tokave.
Kryebashkiaku garantoi se ky proces do të nisë nga zbatimi shumë shpejt. “Mendoj që procesi tashmë ka filluar, duhet vijuar pak me përgatitjet për aktet e regjistrimit, por dhe me Ministritë përkatëse. Ka disa kategori të ndryshme sa i përket hipotekimit, por ky proces do të nisë jo më vonë se java e dytë e muajit nëntor dhe premtoj se do e mbyllim dhe shumë shpejt.
Olldashi
Nga ana e tij ministri i Puneve Publike dhe Transporteve, Olldashi theksoi se ky memorandum bashkëpunimi do të përshpejtojë më tej procesin e hipotekimit të banesave dhe t`i japë fund problemit që prek mijëra familje në Tiranë. “Ky memorandum do të bëjë të mundur që hipotekimi i pasurisë së mijëra qytetarëve të bëhet në një kohë të shkurtër dhe do të bëjë të mundur zgjidhjen e këtij problemi” ka theksuar Olldashi.
Halimi
Ndërsa Ministri i Drejtësisë Halimi duke vlerësuar memorandumin theksoi se procesi i hipotekimit të banesave bëhet i pamundër nëse nuk do të ketë bashkëpunim mes pushtetit qeverisës dhe atij lokal. “Memorandumi i hap rrugën edhe hartimit të një sërë aktesh ligjore dhe finalizimin e procesit të regjistrimit të banesave në Tiranë” ka shtuar Halimi.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Tirane, 400 objekte pa hipoteka Dita pa makina, Basha shkon në punë me bicikletë VIDEO: Tiranë, pallatet e reja do hipotekohen. Ja marreveshja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›