Tiranë, policia parandalon një vrasje, arrestohet 38-vjeçari
Policia e Tiranës ka parandaluar gjatë orëve të natës së kaluar një vrasje. Sipas njoftimit të dhënë nga blutë e kryeqytetit, në pranga është vënë Denis Demiri, 38 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje.
Arrestimi i 38-vjeçarit Demiri është bërë nga shërbimet kundër krimeve të rënda, mbi bazën e informacioneve se ky shtetas po përgatiste të kryente vrasjen e shtetasit F. A., banues në Kinostudio Tiranë, pas një sherri për motive xhelozie të ndodhur ndërmjet tyre disa ditë më parë.
Demiri është kapur rreth orës 22:00 të së dielës me një armë zjarri në brez, të mbushur me fishekë gati për qitje, në një lokal pranë Maternitetit të Ri të Tiranës, në prani të 3 shokëve të tij, të cilët gjithashtu kishin precedentë penalë.
Në momentin e arrestimit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe armë e zjarrit, një pistoletë TT me një krehër me 8 copë fishekë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme. / G. N.