Tiranë, pranga 26- vjetarit me 313 gramë kokainë
TIRANË- Policia e kryeqytetit ka arritur që të arrestojë paraditen e djeshme një 26- vjeçar, i cili është kapur në flagrancë me 313 gram lëndë narkotike të llojit kokainë. Burimet e policisë pohuan se operacioni ishte koduar me emrin “Laknasi” dhe prej kohësh po mbahej nën vëzhgim i dyshuari K C. “Rreth orës 15.00 të ditës së djeshme, ai u kap në flagrancë në rrugën “Don Bosko”, gjatë transportimit të lëndës narkotike të llojit kokainë. Finalizimi i operacionit dhe arrestimi i tij, u bë i mundua pasi për të kishte të dhëna se merrej me shitje të lendeve narkotike të llojit kokainë”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Sipas tyre, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar kokaina si dhe makina me targa “TR 1228 M”. Tashmë prokuroria ka nisur procedimin penal për 26- vjeçarin K C me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.