Itali, tre fëmijë shqiptarë vdesin në aksidente
ITALI- Tre fëmijë shqiptarë kanë humbur jetën dje në Itali në dy tragjedi të ndryshme. Ngjarja e parë e rëndë ka ndodhur në zonën e Peskarës kur një familje shqiptare me katër persona po udhëtonte me makinë. Në autostradë makina e tyre është përplasur me një kamion. Aksidenti ka qenë shumë i fortë dhe si pasojë kanë humbur jetën dy fëmijë, një djalë shtatë vjeç dhe një vajzë katërvjeçare. Mediat italiane raportojnë se ata janë të afërm më njëri-tjetrin. Dy prindërit e njërit prej fëmijëve kanë mbijetuar dhe janë shtruar në spital. Babai i fëmijëve është shtruar në spitalin e Çietit ndërsa nëna në spitalin e Peskarës. Por mësohet se edhe gjendja e tyre shëndetësore është shumë e rëndë. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje bën të ditur se makina drejtohej nga babai i njërit prej fëmijëve. Nuk konfirmohen emrat e të aksidentuarve, pasi policia italiane po punon ende për identifikimin e tyre.Ndërkohë, një tjetër fëmijë me baba shqiptar e nënë italiane ka humbur jetën në Itali mëngjesin e djeshëm. Vajza dyvjeçare e çiftit humbi jetën kur një zjarr i madh shpërtheu në banesën e familjes në Ponte Latone, pikërisht në rajonin Kasertas në Itali. Në kohën e shpërthimit të zjarrit në banesë ishin dhe babai dhe nëna e vajzës. Por prindërit arritën të nxirrnin nga flakët dhe të shpëtonin djalin e madh katër vjeç. Punonjësit e zjarrfikëseve kanë konfirmuar vdekjen e vajzës së vogël pasi kanë nxjerrë nga banesa e djegur trupin e saj të karbonizuar. Ndërkohë, vogëlushja dyvjeçare nuk ka mundur t’i shpëtojë flakëve. Autoritetet e zjarrfikëseve thanë se flakët kishin qenë të mëdha dhe shumë të vështira për t’u shuar shpejt. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që autoritetet italiane po hetojnë ende mbi shkaqet e zjarrit që solli tragjedinë.