Tiranë, rekord aksidentesh brenda një ore, 1 i vdekur, 4 të plagosur

Në një hark kohor prej një ore katër aksidente janë shënuar në kryeqytet. Si pasojë e këtyre aksidenteve automobilistike, 1 person ka gjetur vdekjen, ndërsa 4 të tjerë janë plagosur.
Rreth orës 15:30 tek rrethrrotullimi i Doganës është regjistruar dhe aksidenti i parë, ku një këmbësor është përlasur nga një automjet. Shtetasi, Mahmut Nurja, ka mbetur i plagosur nga përplasja e makinës, i cili ku dhe është transportuar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak, ku paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në të njëjtin vend është regjistruar më pas një tjetër aksident, me pasojë një të plagosur, duke e cuar kështu në dy bilancin e të lënduarve.
Vetëm 30 minuta më pas është regjistruar i treti aksident në radhë, në zonën e Paskuqanit. Dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën, por kësaj radhe pasoja kanë qenë fatale, pasi si shkak i aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i njërit prej mjeteve Bardhyl Haxhillari, 59-vjeç, si dhe është plagosur 26-vjecarja Entela Jaho, pasagjere.
Seria e aksidenteve të pasdites së sotme është mbyllur me përplasjen e tre automjeteve tek Kthesa e Kamzës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person. Mësohet se njëra nga makinat ka marrë flakë në momentin e përplasjes, ndërsa policia saktësoi se njëri nga shoferët ishte në gjendje të dehur.