Fenomeni Dajti në Gjykatë, kërkon si dëshmitarë Gjykatësit e Prokurorët

Dritan Dajti vazhdon betejën e tij me drejtësinë shqiptare, por këtë jo për akuzën e vrasjes së katër efektivëve të policisë në gushtin e vitit 2009. Në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë është regjistruar një dosje ku gjyqtari Gurali Brahimllari akuzon Dajtin për fyerje. Është zhvilluar seanca e parë e këtij gjyqi, ku janë paraqitur palët duke dhënë versionet e tyre.Brahimllari është pjesë e trupës që gjykon cështjen tjetër të Dajtit në Gjykatën e Krimeve të rënda, ku akuzohet për vrasjen e policëve dhe në njërën nga seancat ai ka fyer atë. Por seanca e parë e kësaj ceshtje nuk ka ardhur pa surpriza.
Kështu Dajti në një kërkesë drejtuar trupit gjykues kërkon që në cilësinë e dëshmitarëve të vijnë dy Prokurorët dhe dy Gjytarët e cështjes ku ai akuzohet për ngjarjen e verës së 2009-s. Prokurorët Eugent Beçi dhe Ardian Nezha si dhe gjyqtarët Ardit Mustafaraj dhe Idriz Mulkurti do dëshmojnë në seancën e rradhës, pasi kërkesa e Dajtit u pranua nga gjykatësi Petrit Como. Por kjo kërkesë e Dajtit nuk është pa rrjedhoja,pasi kjo i hap rrugë kërkesës së tij për përjashtimin e trupit gjykues të ceshtjes për vrasjen e 4 policëve. Kjo mund të përkthehet edhe si tentavë e Dajtit për të bllokuar dhe zvarritur akoma më tepër gjyqin që vazhdon ndaj tij prej 3 vjetësh.