E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, shahen në “Facebook”, rrihen përballë me njëri-tjetrin

TIRANE - Shpesh herë rrjetet sociale kanë qenë pikënisja e konflikteve dhe debateve të shumta të lindura mes personave të ndryshëm, aq sa në disa raste konfliktet kanë rezultuar dhe të përgjakshme. Kjo gjë i ka ndodhur 5 të rinjve nga kryeqyteti të cilët pasi kishin debatuar dhe ishin sharë në rrjetin social “Facebook”, kishin vendosur të takoheshin pranë ish-fabrikës “Misto Mame” në kryeqytet për të “sqaruar debatet”.

Por, duket se “sqarimi” nuk ka shkuar dhe aq mirë pasi brenda pak minutash, 5 të rinjtë kanë nisur të goditen mes tyre me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime njëri-tjetrit.
Kanë qenë banorët e zonës dhe kalimtarët e rastit, ata që pasi kanë parë skenën e dhunshme kanë njoftuar menjëherë forcat e policisë të Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet.

Nga ana e tyre uniformat blu kanë bërë të mundur ndalimin e sherrit dhe shoqërimin për në komisariat të 5 të rinjve, për të cilët më pas është vendosur që të procedohen në gjendje të lirë. Më konkretisht, procedimi në gjendje të lirë ka nisur për 17-vjeçarin I.K., 16-vjeçarin A.D. dhe 15-vjeçarët me inicialet G.G., E.K. dhe A.L..

“Këta persona në bashkëpunim me njëri–tjetrin, pranë ish-fabrikës “Misto Mame”, janë goditur me mjete të forta për motive të dobëta, pasi janë sharë në “Facebook”. Për ta u vendos që të procedohen në gjendje të lirë për shkak të moshës së tyre”, – bëjnë të ditur burime nga blutë e kryeqytetit.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›