Tiranë, zhvillohet Asambleja Parlamentare e OSBE-së

Zhvillohet për herë të parë në Tiranë Asambleja Parlamentare e OSBE-së në sensionin e saj të vjeshtës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i AP të OSBE-së Riccardo Migliori, theksoi se Shqipëria ka bërë arritje të mëdha që nga anëtarësimi i saj në OSBE.
Ndërsa ka vlerësuar edhe kontributin e Shqipërisë në këtë organizatë, Migliori tha se Shqipëria ka qenë një nga vendet më të izolurua, por ka dëshmuar se ka forcë për të kontribuar.
“ Shqipëria mban me vete një forcë të jashtëzakonshme për të kontribuar. Nuk mendoj se ka ngelur ndonjë gjë për t`ju mësuar. Kemi përfituar shumë me çfarë ju keni kontribuar dhe nga puna që është bërë nga ambasadori Wollfarth” tha Migliori.
Ndërsa kryeparlamentarja Topalli, shprehu kënaqësinë e madhe që ky forum mbahet në Tiranë. “Faleminderit që keni pranuar kërkesën që ky sesion i vjeshtës të mbahet në Tiranë. Do doja shumë që ju të njihnit përtej kësaj salle këtë vend të bukur e të vogël. Jam e gëzuar që jemi këtu në këtë vit jubilar përfaqësues nga gjithe bota” tha ajo.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha theksoi se organizimi i këtij sesioni në Tiranë përbën një perlë në kurorën e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. "Jeni këtu në një vend që për vite dënoi këtë organziatë, jeni në një vend në të cilin në vitin 90 kushtetuta e kishte të ndaluar liritë dhe të drejtat themelore. Dua të shpreh admirimin tim për punën e shkëlqyer të kësaj asambleje në vite, një avokate e shkëlqyer, në mbrojtje të lirisë, paqes, stabiliteti dhe mirëkuptimit” tha ai.
Përgjatë dy ditëve mbi 200 pjesëmarrës nga 56 vende anëtare të OSBE-së, do të marrin pjesë në takime të nivelit të lartë që përfshijnë një konferencë parlamentare me temë: "OSBE: Promotor i mirëqeverisjes dhe integrimit si bazë për stabilitetin dhe sigurinë".
Konferenca, e ndarë në tre sesione, do të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me promovimin dhe mbrojtjen e shoqërive multi-etnike dhe multi-kulturore në vendet anëtare të OSBE-së, me krizën ekonomike dhe financiare, si dhe me rolin e medias në promovimin e mirëqeverisjes.
Mbajtja e mbledhjeve të vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë vjen në një kohë kur Shqipëria mban Presidencën e KiE-së, si dhe përgatitet të festojë 100-vjetorin e Pavarësisë.