E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS-ja fushatë kriminale ndaj Mbrojtjes, tregtia e ligjshme”

04-10-2012 / Gazeta 55

Reagon Ministria e Mbrojtjes: Të ardhurat e tregtisë së armëve, 1.2 miliardë lekë për 300 familje të qytetit të Poliçanit

Erion Braçe kallëzohet penalisht për nxjerrje të sekreteve

Ministria e Mbrojtjes dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal në emër të deputetit Erion Braçe. Motivacioni i këtij kallëzimi është nxjerrja e dokumenteve të klasifikuara sekret shtetëror sipas ligjit përkatës, si dhe disponimi i dokumenteve shtetërore në rrugë të paligjshme. Megjithatë gjatë ditës së djeshme ministria e Mbrojtjes ka vijuar t`u përgjigjet akuzave të bëra nga Partia Socialiste për tregtimin e armëve. Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e ministrisë ka theksuar se Partia Socialiste ka nisur një fushatë kriminale ndaj ministrisë së mbrojtjes. “Seriali i shpifjeve të Partisë Socialiste vijoi me manipulime dhe keqlexime shifrash të kontratave për shitjen e ligjshme të municioneve të tepërta. Marrëdhëniet e supozuara të Ministrisë së Mbrojtjes me persona, të cilëve nuk u dimë as emrat, janë trillime dhe shpifje të ulëta, të denja vetëm për një personazh që ka për profesion mashtrimin publik. Ministria e Mbrojtjes ka marrëdhënie tregtare vetëm me kompani dhe shtete të verifikuar sipas ligjeve dhe procedurave. Nuk ka marrëdhënie as personale as institucionale me asnjë nga personat e përmendur. Ministri i Mbrojtjes garanton se që nga koha e marrjes së detyrës, asnjë person i përmendur nuk ka vizituar asnjë ambient ushtarak të Forcave tona të Armatosura. Kjo është një shpifje e ulët”, theksoi zëdhënësja Lorisa Ylli. 
Ndërsa informoi se deputeti i opozitës po shkel ligjit duke publikuar dokumente sekrete që përbëjnë një shkelje flagrante të ligjeve, “deputeti Braçe, në shpërfillje të plotë të ligjit, vijoi me publikimin e kontratave të ligjshme të Ministrisë së Mbrojtjes. Sigurisht do të përgjigjet para ligjit për shkeljen në flagrancë të tij. Ministria e Mbrojtjes, në pamundësi të publikimit të këtyre kontratave tërësisht ligjore, për shkak të ligjit, garanton opinionin publik se shifrat e publikuara sot janë tërësisht të manipuluara”.
Sipas dikasterit të Mbrojtjes tregtia e ligjshme e municioneve bazohet në çmime bazë fikse. Çdo shitje me çmim më të lart se çmimi bazë, është vlerë e shtuar. “Zoti Braçe ose nuk di të lexojë shifrat ose gënjen. Çmimet e shitjes së municioneve janë rritur gjatë periudhës në fjalë, pavarësisht amortizimit të tyre nga koha. Ministria e Mbrojtjes ka arritur të shesë edhe gryka zjarri që janë skrap, kurse pjesa e mbetur e tyre është shitur si skrap” vijoi ajo.
Ndërkohë zëdhënësja e ministrisë së Mbrojtjes e quajti qesharake dhe shpifje të radhës se municionet mund të shiteshin me çmim më të lartë si nënprodukte pas demontimit. “Ministria e Mbrojtjes ka ngritur një bord të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë, i cili bën analizën e kostos së demontimit dhe çdo shitje që kryhet bazohet mbi një analizë financiare të detajuar. Për më tepër, asgjësimi i municioneve ka një kosto shumë të lartë, atë të rrezikut për jetën e personelit të angazhuar në këtë proces jetik për vendin”, shprehet në një deklaratë zyrtare MM. 
gjithashtu me herët ministria e drejtuar nga Arben Imami deklaroi se deputetit Braçe do t’i duhet kohë që ta kuptojë këtë proces. “Në vend që të konfuzohet me kontratat e tregtisë së armëve, e ftojmë të sqarojë banorët e Poliçanit se përse është kundër bukës së fëmijëve të tyre. Së fundi, zoti Braçe dhe Partia Socialiste duhet të kuptojnë që kontratat ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive tregtare nuk mund të përfliten nëpër konferenca shtypi apo faqe gazetash. Ministria e Mbrojtjes është e gatshme të informojë Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Parlament, me dyer të mbyllura, siç e kërkon dhe procedura”, deklaroi zëdhënësja e ministrit Imami. Në lidhje me transparencën Ministria e Mbrojtjes ka garantuar transparencë maksimale opinion publik. “Tregtia e armëve është një aktivitet i ligjshëm dhe i dobishëm që sjell të ardhura për të mbështetur procesin e demontimit dhe asgjësimit të municioneve të tepërta e të rrezikshëm. Deputeti Braçe, i cili tund letra të vjedhura të shtetit shqiptar, duke mashtruar opinionin publik çdo ditë, është në dijeni se një sasi e madhe e parave të grumbulluara nga tregtia e ligjshme e armëve, shkon për të mbështetur punën në Kombinatin Mekanik të Poliçanit. Nga të ardhurat e siguruara nga tregtia e ligjshme e armëve, 1.2 miliardë lekë janë destinuar për të paguar punonjësit e Kombinatit të Poliçanit!. Ndaj si deputet i qarkut të Beratit, nënvizoi zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, deputeti Braçe do të duhej të mbështeste këtë proces që siguron punësim për 300 familje të qytetit të Poliçanit. Ne i kërkojmë deputetit Braçe, të dalë dhe të sqarojë se përse është kundër punësimit të 300 familjarëve nga Poliçani? Përse ai punon kundër bukës së gojës së fëmijëve të Poliçanit? Cili është interesi që fshihet pas kësaj fushate të turpshme të Partisë Socialiste? Sot e në vijim, Ministria e Mbrojtjes, do t’i drejtojë çdo ditë Partisë Socialiste, pyetjen themelore që lind nga kjo fushatë kriminale kundër Ministrisë së Mbrojtjes: Çfarë i shtyn të punojnë kundër interesave madhore të vendit? Qytetarët shqiptarë presin nga Partia Socialiste përgjigjen e kësaj pyetjeje!”, përfundoi deklarata e MM.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›