“Nuk ka pazare sllave, 19 kompani të huaja operojnë në Shqipëri me tregtinë e armëve”
Flet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Mbrojtjes, Edvin Kulluri
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Mbrojtjes, Edvin Kulluri ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Socialiste për tregtinë e armëve duke e cilësuar si një fushatë pjesë e një strategjie. “Kjo është një fushatë që ka nisur disa muaj më parë, duke filluar me pronat, me gradimet, me ‘trafikun e armëve’, që në fakt është një tregti armësh”, deklaroi Kulluri. Në një prononcim për mediat, sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes Kulluri ka theksuar se tregtia e armëve është e ligjshme dhe transparente, si dhe faktin që deputeti Braçe ka shkelur disa ligje në nxjerrjen e dokumenteve konfidencialë për të cilat janë të rregulluara me ligj të posaçëm. Sipas tij, ka një mënyrë të caktuar që kërkohen dhe tërhiqen e dokumente e për çfarë do t’i përdorë, dhe kur e sesi duhet të publikohen. Ndërsa në lidhje me akuzat e PS-së janë favorizuar vetëm kompani serbe, sekretari i Përgjithshëm i MM Kulluri hodhi poshtë këtë dezinformimi e deputetit Braçe duke informuar se për tregtinë e armëve dhe municioneve janë kontraktuar 19 kompani dhe jo me dy tre kompani siç pretendon opozita. “Sipas dokumenteve janë 19 kompani të kontraktuara për shitje dhe tregti armësh. Kontraktuesi janë nga SHBA-të, Jemeni, Çekia, Austria, Mali i Zi, e me radhë janë të verifikuara”. Ministria e Mbrojtjes disponon materiale të tepërta nga regjimi i kaluar që përbëjnë rrezik për popullsinë civile, ndaj një pjesë po demontohet dhe një pjesë eksportohet. “Po të kishim mundësi do të eksportonim edhe më shumë po të kishim stoqe më të mëdha. Krahasuar me vende të rajonin ne eksportojmë më pak” vijoi ai. I pyetur rreth kompanive, sekretari i Përgjithshëm i MM Kulluri nënvizoi se të gjitha kompanitë janë verifikuara nga organet kompetente shqiptare (AKSHE, SHIU, MEICO) dhe ndërkombëtare (NATO, OKB) dhe janë brenda rregullave dhe ligjeve të tregtisë. “Ne kemi agjencinë e import-eksporteve që është e suportuar nga agjencitë e inteligjencës. Dhe nuk i kemi shitur armë ndonjë vendi në luftë civile, përpara një viti na akuzuan se i dërguam armë Gedafit doli të ishte e rremë, sot thonë i kemi çuar në Jemen. Në Jemen janë dërguar në 2010 ku nuk ka pasur ndonjë konflikt civil”, theksoi Kulluri. Dhe në lidhje me destinimin e ardhurave të shitjeve dhe tregtisë së armëve, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, ka informuar se këto para shkojnë në buxhet dhe në investimeve në uzina, siç është për shembull uzina e Poliçanit, Mjekës, Gramsh. Gjithashtu ka deklaruar se procesi i demontimit në ambiente të hapura do të mbyllet brenda këtij viti dhe në tersi do të mbyllet vitin e ardhshëm sipas plan veprimit.
...