Tirani shumëse
Toleranca është sukses i madh i njerëzimit. Në fakt, me tolerancën, njerëzimi arrin të ndiejë vetëqenien, duke njohur, prekur, kuptuar veten e njëkohësisht duke harruar gabimet e njëri-tjetrit.
Nën regjime diktatoriale, si ai që Shqipëria provoi dikur, njerëzit komunistë, jokomunistë, të burgosur, të persekutuar, të internuar, të pasur, të varfër, të privilegjuar a jo, të gjithë jetonin nën një strehë apo brenda një kufiri të mbyllur. Të izoluar, merrnin e jepnin, bisedonin, si ata që kanë të njëjtën frikë dhe të gjithë ngryseshin me pyetjen: "Çfarë do të sillte e nesërmja?". Asnjë nuk ndihej i sigurt. Madje edhe ai që kishte "punuar" për të mirën e vet. Të gjithë, secili për vete, bënin të njëjtën lutje e mbanin të njëjtën shpresë; të mos i gjente ndonjë e keqe. Ai me të cilin sot kishe qeshur, ditën tjetër mund të dilte dëshmitar për të të dërguar atje, prej nga shumë nuk ktheheshin më.
Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, lufta e klasave, nëse skicohej, i ngjante një peshoreje që lëvizte, zhvillohej me faza, lëkundej. Ajo zbutej kur peshorja rëndonte në anën e pushtetit; ashpërsohej, kur ajo anonte në anën e kundërt. Frika më e madhe për pushtetarët, ashtu si për shitësin e pandershëm, ishte kur peshorja balancohej. Në një gjendje të tillë ata nuk mund të mbaheshin, tregtari nuk mund të vidhte, sepse animi, ishte kushti që u jepte atyre padrejtësisht, me hile, pushtet e pasuri mbi të tjerët.
Sipas një fjalori filozofik, tirani nuk njeh ligje, përveçse tekat e veta; ai merr pronën e atyre që sundon dhe pastaj i mobilizon të sunduarit për të marrë pronat e të tjerëve.
Por, midis tiranisë së një njeriu të vetëm dhe tiranisë së disave ka dallim. Tirania e disave ndodh kur një grup, parti apo institucion, përvetëson të drejtat e një institucioni tjetër dhe ushtron mbi të despotizëm nëpërmjet ligjeve që vetë i ka manipuluar.
Në shekullin XVIII, Volteri shtronte pyetjen: “Nën çfarë tiranie dëshiron të jetosh?” - dhe vetë përgjigjej: “Nën asnjë; por nëse më lejohet të zgjedh, tiraninë e një personi e urrej më pak sesa tiraninë e disave, sepse një tiran gjithmonë ka momente që ndodhet në gjendje të mirë shpirtërore, të njerëzishme. Pastaj, atij mund t`i gjendet një mik, e në raste vështirësish mund t`i ndërhysh a t`i kërkosh ndihmë. Tek një grup tiranësh kjo është e pamundur”.
Megjithëse Enver Hoxha është quajtur (me të drejtë) tiran a diktator, ndoshta do të vijë një kohë që historianët të shtrojnë edhe pyetjen: “A ishte Shqipëria e asaj periudhe nën sundimin e një tirani apo e shumë tiranëve?” Nëse merret si krahasim periudha e Mbretit Zog, e cilësuar si një "tirani më pak e keqe", atëherë përfundimi do të dilte se Shqipëria nën komunizëm ishte tirani e një grupi despotësh. Ata ndodheshin nën sundimin e tiranit, i cili pasi i kishte poshtëruar e gjunjëzuar, i mobilizoi ata për të plaçkitur, vrarë, sunduar e poshtëruar të tjerët. E kush mund ta bënte më mirë këtë punë sesa të dobëtit e sunduar? Sa profetike kjo filozofia; ndriçon udhën, shumë kohë përpara se të behet rrugë ose rruga që të njihet jo medoemos duhet shkelur.