E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike dhe qytetari më dinjitoz



Së fundi po paralajmërohet fakti se qytetarët shqiptarë do të pajisen me karta elektronike identiteti dhe pasaporta biometrike. Padyshim që një arritje e tillë do të shënojë fillimin e një raporti më të drejtë qytetar - shtet dhe anasjelltas. Shteti edhe qytetari do të kenë më shumë respekt të ndërsjellët karshi njëri-tjetrit.

Siç thuhet rëndom, edhe do të mund të fillojë një raport i ri midis qytetarit dhe pushtetit politik duke eliminuar në maksimum mundësinë e manipulimeve në zgjedhje. Por, personalisht besoj se pas kësaj arritjeje të munguar gjatë, padyshim do të rinisë edhe një raport më i drejtë midis qytetarit dhe shtetit dhe kjo edhe në raport me të tretët, pra shtetet partnere të Shqipërisë.

Këtë besoj e di gjithsecili që ka pasur mundësi të shkojë jashtë shtetit dhe të ballafaqohet me pritjen e autoriteteve përkatëse. Fillimisht të drejtohen me shprehjen tashmë ndërkombëtare “Welcome Sir!” (Mirë se vini zotëri!) dhe sapo të shohin pasaportën shqiptare ndërrojnë qëndrim dhe vijojnë pyetjet me radhë “Where do you go? (Ku po shkoni, sigurisht pa ju cilësuar me zotëri)) How many days will you remain?” (Sa ditë do të qëndroni?) Who is expecting you? (Kush ju pret?) dhe të kontrollojnë pasaportën nga të gjitha anët!

E gjitha kjo situatë absurde ka padyshim shkaqet e saja konkrete dhe faktin që ata (të huajt) kanë krijuar relacione të vështira me qytetarët shqiptarë dhe pasaportat e tyre të ndërruara shpesh në këto vitet e fundit dhe jo pa probleme.

Por, parimisht dhe mbi të gjitha shkak kryesor i kësaj situate absurde duhet të jetë raporti jokorrekt midis shtetit dhe vetë qytetarit e padyshim pamundësinë e secilit për t’u respektuar reciprokisht ashtu siç nevojitet.

Një histori pasaporte me autoritet greke

Personalisht deri në vitin 1999 kam pasur në zotërim një pasaportë shërbimi dhe kur shkoja në Greqi përdorja zakonisht autobusët e linjës Tiranë-Athinë. Njëra prej këtyre herëve përkoi me një nga datat e pushimeve verore dhe unë isha së bashku me shumë emigrantë shqiptarë, të cilët ktheheshin në atdhe.

Në pikën kufitare të Kakavijës ndërsa ndaluam në fund të karvanit të autobusëve, u nisa në këmbë drejt postës kufitare greke për t’i vënë vulën e kthimit pasaportës të cilën e mbaja në dorë. Kur arrita në sheshin pranë postës greke vura re rreth 2.000 shtetas shqiptarë, të cilët ishin lënë të prisnin rifillimin e procedurave të verifikimit të dokumenteve. Një ushtar i thjeshtë grek u bërtiste në Greqisht (kushedi çfarë sharjes) dhe askush nga emigrantët nuk reagonte. Në fakt, pse duhet ta bënin një gjë tillë?! I vetmi rezultat që mund të “fitonin” ishte grisja e dokumenteve (pasaportës) dhe pamundësia e kthimit në vendin e punës në Greqi.

Duke parë situatën e tendosur kalova anash turmës për të pyetur në postën kufitare greke se ç’kishte ndodhur dhe ç’duhet të bëja! Pasaporta ime shqiptare, në atë kohë në ndryshim nga ngjyra e kuqe e pasaportës të emigrantëve, kishte ngjyrë kafe si ato evropianet dhe unë po e mbaja në dorë! Isha gjithashtu i kollarisur dhe shkëmbeva shikim me ushtarin grek i cili u “shkre” dhe ndërpreu sharjet ndaj shqiptarëve!

Ndërsa trokita dhe hapa derën e postës vura re një lloj “shkrehje” të transmetuar edhe tek oficerët grekë brenda në postë! Unë nuk i di asnjë fjalë greqisht dhe ndaj u kërkova anglisht se ç’duhet të bëja për të hyrë në Shqipëri! Oficerja greke e ngritur në këmbë dhe me një lloj servilizmi të çuditshëm duke më parë në sy u përgjigj: “Yes Sir!”

Në fakt, ajo vulosi pasaportën time pa i hedhur asnjë shikim të vetëm! Kur unë dola nga posta greke dhe u nisa drejt tokës shqiptare rifilluan procedurat e verifikimit të dokumenteve edhe për emigrantët që prisnin me padurim, por pa bërë zhurmë jashtë!

Konkluzioni?

Në perceptimin tim personal stafi policor grek kujtoi se kishte bënte me një qytetar evropian dhe jo një shtetas shqiptar. E besoj apriori këtë sepse po ta kishin vënë re, ndoshta nuk do të më lejonin të kaloja kufirin pa plotësuar tekat e tyre absurde.

Parimisht kjo do të ndodhte, sepse ata do të merrnin vesh se unë nga pas nuk kisha një shtet evropian i cili do të mbronte të drejtat e mija të nëpërkëmbura, por Shqipërinë e cila nuk kishte asnjë mundësi ta bënte një gjë të tillë.

Ishte dhe është kjo arsyeja themelore e cila bën që qytetarët shqiptarë të keqtrajtohen përgjithësisht në kufijtë evropianë dhe ku nuk kanë munguar rastet e verifikimit të pasaportave false. Përgjegjësi kjo e drejtpërdrejtë e shtetit shqiptar të cilit padyshim i “mbyllet goja” edhe për raste të tjera!

Padyshim ishte kjo arsyeja themelore që nuk i lejonte emigrantët shqiptarë të reagonin ndaj përbuzjes dhe fyerjeve të ushtarit grek. Në fakt, nëse do t’u grisnin dokumentet atyre kush nga zyrtarët tanë të nderuar do të mund t’i ndihmonte? Cilës derë të shtetit do të duhet t’i binin ata për të kërkuar ndihmë?

Asnjërës dhe askund nuk do të mund të shkonin, sepse do t’u qeshin në fytyrë! Kjo, përtej mundësisë për të blerë një vizë tjetër greke, apo kthimit nga malet në Greqi për të vazhduar të ndihmonin familjet e tyre dhe padyshim indirekt edhe atdheun.

Ndaj apriori besoj që realizimi i kartave elektronike të identitetit dhe pasaportave biometrike do prezantojë një hap serioz drejt kthimit të dinjitetit të shtetit kundrejt qytetarit dhe sigurisht anasjelltas. Një gjë e tillë do të përmirësojë gjithashtu raportet reciproke të Shqipërisë me partnerët dhe veçanërisht fqinjët.

Padyshim një situatë e re do të përmirësojë në mënyrë të dukshme edhe raportet e shtetasve shqiptarë me autoritetet përkatëse të huaja. Ndaj në emër të qytetarit dhe përtej interesave partiake ky prioritet strategjik i qeverisë aktuale duhet vetëm mbështetur për të kthyer pak nga dinjiteti i humbur në vite.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›