E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon skema e subvencionimit të librave shkollor,përjashtohen gjimnazet



MASH-i ka marrë vendim që të fusë në skemën e kompensimit edhe shkollat 9-vjeçare të sistemit private dhe ka hequr gjimnazet

Në skemën e re të subvencionimit të librave shkollorë të propozuar dje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjimnazistët nuk do të përfitojnë më kompensim financiar për librat, ndërsa do të përfshihen në skemë shkollat private. Skema e vjetër edhe pse cilësuar si e suksesshme është ndryshuar, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse ajo funksionoi vërtetë. Vëzhgimet e bërë në mjaft shkolla dhe gjimnaze të Tiranës pak kohë më parë, zbuluan se ndërsa viti shkollorë po mbaronte mjaft prej nxënësve jo vetëm që nuk e kishin marrë kompensimin, por as nuk dinin si mund ta tërhiqnin atë.

Fondi

Rreth 2,8 milionë euro do të jetë fondi i Ministrisë së Arsimit për kompensimin e librave shkollorë, por ende nuk është përcaktuar masa e subvencionimit për çdo nxënës. Gjatë vitit të kaluar kjo shifër ndryshoi disa herë. Vendimi është marrë dje nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, gjatë një konsulte me krerët e sindikatave të arsimit dhe të tjerë të interesuar. Ndërkohë ministri Pollo deklaroi se vlera e saktë e financimit të teksteve do të nxirret pas shpërndarjes së tyre. “Çështja nëse shkollat bazë 9-vjeçare do të përfitojnë kompensimin e librit shkollor njëlloj si ato publike, do të shqyrtohet me tej dhe në ditët e ardhshme. MASH-i do të bëjë publik qëndrimin final, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe aktet financiare. Ndërkohë që do të punohet për modalitetet e përkrahjes së shtuar për parashkollorin”, - u shpreh ministri i Arsimit. Ndryshe nga vite me parë, premtohet se sivjet nuk do te këtë vonesa në pajisjen e nxënësve me libra dhe theksohet se shpërndarja e tyre nis që javën e parë të gushtit, në libraritë pranë çdo shkolle.

Braktisja

Nga vëzhgimi i kryer nga gazeta “Standard” nëpër shkolla të ndryshme të kryeqytetit, rezulton se pas dhënies së kompensimit të librit nga ana e MASH-it prindërit e kanë braktisur. Shumë prindër që i kishin ruajtur faturat e librave për t’ua dorëzuar drejtorive të shkollave për të përfituar masën e kompensimit të librave janë zhgënjyer kur janë njohur me vlerën që MASH-i kishte vendosur t’i kompensonte. Burime pranë zyrës së postës kanë theksuar se prindër dhe nxënës të tërë kanë braktisur duke mos e marrë vlerën në lek që i jepej si masë kompensimi për blerjen e librave nga ana e prindërve, ndërsa është e paqartë çfarë është bërë me paratë që nuk u shpërndanë si kompesim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›