E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, gjenerim i krimit në Shqipëri

Konstatimi

Titujt e pronësisë janë bërë shkak që, 70 për qind e familjeve shqiptare të jenë të përfshira nga mosmarrëveshje, të cilat kanë si rrjedhim shkaktimin edhe më shpesh të vrasjeve. Ky ka qenë konkluzioni i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, në një takim të zhvilluar dje me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës në Familje. Në konflikte pronësie janë të përfshirë rreth 300 mijë qytetarë për konflikt pronësie, nga të cilat 120 mijë i janë drejtuar gjykatës, ndërsa 20 mijë prej tyre kanë preferuar ta zgjidhin këtë konflikt jashtë sallave të Gjykatave, duke u kthyer në rrezik serioz për shoqërinë shqiptare. Problemi i pronave ka shqetësuar gjatë këtyre 18 viteve shoqërinë shqiptare, ku më serioz konsiderohet miratimi me konsensus i Ligjit 7501. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, ka konstatuar gjithashtu se, 30 për qind e familjeve në qytet dhe 45 për qind në fshat, jetojnë në varfëri ekstreme. Për këtë arsye, rreth 17 mijë fëmijë kanë braktisur shkollën për të ushqyer familjen në forma të ndryshme, duke devijuar jashtë normave shoqërore, apo duke marrë rrugën e emigracionit. I pranishëm në këtë konferencë, ishte edhe nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Koliqi, i cili ka bërë një pasqyrë të përgjithshme të situatës së vrasjeve gjatë tre viteve të fundit. Arsyet kryesore, sipas Koliqit, mbeten konflikti ndaj pronës, ose gjakmarrjesh. Po kështu, vetëvrasjet mbeten një problem serioz në shoqërinë shqiptare. Duke parë më thellë arsyet që i shtyjnë qytetarët të ndërmarrin një hap të tillë, ato lidhen me varfërinë ekstreme, apo edhe me nivelin e ulët shoqëror. Gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm edhe numri i denoncimeve të dhunës në familje. Sipas statistikave të paraqitura nga nëndrejtori policisë, denoncimi i dhunës në familje ka arritur shifrën 612 deri më tetor të këtij viti, në krahasim me një vit më parë ku, një shifër e tillë, arrinte në 274. Ndërsa paraqitja e statistikave në lidhje me vetëvrasjet, paraqitet pak e çuditshme në qytet, ku nga viti 2005, deri më 2008, shohim një luhatje të ndjeshme të tyre. Në vitin 2005 kanë rezultuar 76 vetëvrasje, në vitin 2006, 58 raste, në vitin 2007, 102 raste dhe deri më tetor të këtij viti rezultojnë 50 raste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›