E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: Abuzuan me barnat, ndëshkohen 11 farmaci

Sipas drejtorit të Kontrollit të Jashtëm në ISKSH, Kodracaj, farmacitë abuzuese u gjobitën dhe u ndërpre kontrata

Barna pa pullën e sigurisë, diferenca në minus të pajustifikuara, me receta të rregullta, pa rimbursim, apo edhe parregullsi në regjistrimin e faturave. Këto janë disa nga shkeljet e 11 subjekteve farmaceutike, ndaj të cilave Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ka marrë masa ndëshkimore. Kështu, drejtori i Kontrollit të Jashtëm pranë këtij institucioni, Pjerin Kodracaj, ka dekalruar se gjatë muajve shtator-tetor 2008, kanë ushtruar kontrolle mbi vlerësimin dhe zbatimin e kontratave me subjektet farmaceutike. "Kështu, në rajonin e Dibrës janë konstatuar qarkullim të barnave të listës së rimbursueshme pa pullën e kontrollit të MSH-së, parregullsi në regjistrimin e faturave në regjistër brenda afateve të përcaktuara në kontratë, prania e librezave të shëndetit të pacientëve në mjediset e farmacisë, pa praninë e tyre dhe diferenca në minus të pajustifikuara me receta të rregullta pa rimbursim",- tha Kodracaj, duke shtuar se, në rrethe të ndryshme të vendit, ka rekomanduar masa administrative me gjobë ndaj 11 subjekteve farmaceutike, në shumën 99 000 lekë, masa zhdëmtimi nga këto subjekte farmaceutike në shumën 1.132.557 lekë, si dhe "ndërprerje kontrate" për një farmaci. Sipas tij, masa të rekomanduara janë "ndërprerje kontrate" dhe propozim komisionit të licencimit për heqje licence për një farmaci, si dhe masa administrative gjobë për farmacitë e rajonit Dibër, në vlerën 46 000 lekë për diferenca në minus të barnave dhe parregullsi në mbajtjen e dokumentacionit të farmacisë. Ndërkohë, sipas tij, në farmacitë e rrethit Krujë, u konstatuan parregullsi në mbajtjen e dokumentacionit, në lidhje me regjistrimin e faturave brenda afateve, diferenca në plus dhe në minus për barnat e listës nga kontrolli me inventarizim në dy farmaci (ku u vendosën masat e gjobës në vlerën 32 000 lekë) dhe dëm ekonomik në vlerën 253 983 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›