E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bare tenton "të shmangë" burgimin e përjetshëm

Alfred Shkurti, i cilësuar si kreu i bandës së Lushnjes, kërkoi dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda të niste procedurat e shkurtuara ndaj tij


I akuzuari pranon aktet e dosjes por mohon akuzën. Prokuroria kërkon kohë për t'u shprehur mbi çështjen


TIRANË- Alfred Shkurti, alias Aldo Bare, i njohur ndryshe si kreu i "bandës" së Lushnjës me ndihmën e mbrojtësit të tij ligjor kërkoi dje nga togat e zeza aplikimin e gjykimit të shkurtuar për procesin penal ndaj tij.


Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, ku i pandehuri Bare kishte preferuar të mos paraqitet në sallën e gjyqit por duke lëshuar një deklaratë që procesi gjyqësor të vazhdojë pa praninë e tij dhe duke ia ngarkuar të gjitha atributet mbrojtësit të tij ligjor, avokat Vladimir Meçe.


Ky i fundit, gjatë parashtrimit të kërkesave paraprake, i kërkoi pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari që procesi gjyqësor ndaj klientit të tij Aldo Bare të zhvillohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar.


"Nuk jemi dakord me akuzat e ngritura ndaj klientit tim Aldo Bare, por nga ana tjetër, jemi dakord që procesi gjyqësor të zhvillohet mbi bazën e materialeve që ndodhen të administruar në dosjen hetimore të dorëzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.


Për këtë fakt, kërkojmë që procesi gjyqësor ndaj Aldo Bares të zhvillohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar"-tha avokati Meçe në fjalën e tij para togave të zeza. Pas parashtrimit të kësaj kërkese, prokurorët e çështjes i kërkuan një javë kohë togave të zeza për tu shprehur me shkrim në lidhje me kërkesën e avokatit mbrojtës.


Për këtë fakt, trupa gjyqësore që shqyrton dosjen ndaj Aldo Bares vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për një javë, për të dëgjuar pretendimet e akuzës. Ndërkohë, nëse kjo kërkesë e avokatit mbrojtës pranohet, të pandehurit Aldo Bare i ulet automatikisht 1/3 e dënimit që mund t'i jepet nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet.


Gjithashtu, mësohet se kjo kërkesë e avokatit mbrojtës vjen pas disa kërkesave të tjera drejtuar togave të zeza, si për përfundimin e afateve hetimore të qëndrimit në qeli, mos komunikimit të akuzave pas mbylljes së fazës hetimore, kërkesës për pavlefshmëri të akteve hetimore të dërgimit të dosjes në gjyq, kërkesës për pavlefshmëri të procesverbalit të seancës gjyqësore të verifikimit dhe ekzekutimit të masës së sigurisë që tashmë ndodhen pranë Gjykatës së Lartë mbi bazën e rekursit të avokatit mbrojtës.


Me kërkesën e djeshme, avokati Meçe kërkon ta shpëtojë nga dënimi me "burgim të përjetshëm" klientin e tij Aldo Bare, ashtu siç kishte bërë me të pandehurin Enver Dondollaku muaj më parë pranë kësaj gjykate.


Ky i fundit u dënua me "burgim të përjetshëm" për të njëjtat vepra penale që akuzohet edhe Aldo Bare, por, meqë i ishte pranuar "gjykimi i shkurtuar" ai i shpëtoi këtij dënimi maksimal duke u dënuar përfundimisht me 25 vjet heqje lirie.


Sipas prokurorisë, i pandehuri Aldo Bare akuzohet për kryerjen e veprave penale të "Vrasjes me paramendim" të shtetasve Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli e Masar Aliu; "Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë ndaj shtetasve Artur Daja, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu; "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake"; "Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu; "Krijimit të organizatës kriminale dhe kryerjes së veprave penale organizata kriminale". Të gjithë këto akuza, sipas prokurorisë, janë kryer nga viti 1997 deri në vitin 2003 në qytetin e Lushnjës dhe rrethinat e saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›