E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Titulli kampion, një garë katërshe e hapur

Barazimi i Dinamos dhe Skënderbeut në stadiumin “Selman Stërmasi”, 1-1, ka mbyllur javën e pesëmbëdhjetë të Kategorisë së Parë. Nga një pikë për secilën skuadër, që në fakt mban të hapur garën për titull kampion. Dinamo 31 pikë, Skënderbeu 27 pikë, por ndërkohë pas tyre Flamurtari e Korabi me 26 pikë, që në fakt të shtunën barazuan në stadiumin e Peshkopisë me të njëjtin rezultat, 1-1. Nevil Dede, trajneri i Dinamos, dhe Ivan Gvozdenoviç, tekniku i bardhekuqve, kanë bërë dhe komentin e tyre në përfundim të ndeshjes në “Selman Stërmasi”.

“Në gjykimin tim duhet të merrnim diçka më shumë. Morëm një gol naiv dhe ndoshta e vuri pak në tension skuadrën. Por realisht mendoj se zhvilluam një paraqitje të mirë. Madje nga më të mirat e këtij sezoni. Përpos gjitha vështirësive që kundërshtari na priste, apo dhe terreni nuk na la të shpreheshim ashtu si duhet, gjithsesi e morëm pikën që duhej”, nënvizon Dede

“Për rezultatin nuk jam i kënaqur, por për lojën po. Ishte një ndeshje e vështirë. Pjesën e parë e hapëm mirë, por pas 15 minutave të fillimit lojtari ynë i mesfushës Moraesh kishte një problem dhe ky ishte shqetësimi se pse u tërhoqëm pak pas”, theksoi Gvozdenoviç.

Mbetet e ashpër lufta në fundin e renditjes, ndërsa Besëlidhja, pas humbjes me Besën në Berat, mbetet në “ftohtësinë” e klasifikimit. Ka rritur shpresat për mbijetesë Turbina, e cila ka fituar 1-0 me Apoloninë, apo Lushnja, 2-1 me Tomorin. Po kështu dhe Burreli në transfertën pukjane, 2-1 ndaj Tërbunit vendës. E ndërkohë e ngushtë ishte dhe fitorja e Orikut me Luzi 2008, 3-2, por që gjithsesi i mban të gjithë në garën për t’i shpëtuar “Play-out” për të rënë në Kategorinë e Dytë. 18 gola në shtatë ndeshjet, ndërsa Kategoria e Parë vijon të prodhojë më shumë se sa Superiorja kur vjen puna e rrjetave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›