Zelenski, kundër sportistëve rusë në Olimpiadë

Pjesëmarrja e sportistëve rusë dhe bjellorusë në Olimpiadën “Paris 2024” është një çështje tepër e diskutueshme. Ministri i Francës për Sportin diskuton mundësinë e një “sistemi neutraliteti” për atletët rusë dhe bjellorusë që ata të mund të marrin pjesë në këtë Olimpiadë dhe kërkon që IOC “të mendojë se si, në kontekstin e luftës që po përjetojmë, të parashikohet një mënyrë e vlefshme se si këta sportistë të konkurrojnë në Paris 2024.
Edhe ministri polak i sportit Kamil Bortniczuk propozon që ata të përfshihen në olimpiadë me kusht që të jenë si neutralë. Për këtë problem ka folur edhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko. Ai ka kërkuar që atletët rusë duhet të denoncojnë publikisht luftën në Ukrainë nëse duan të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
“Çdo sportist rus duhet t’i thotë qeverisë dhe presidentit të vendit të vet, të ndalojë këtë luftë të pakuptimtë. Nëse jo, atletët rusë nuk mund të marrin pjesë në Lojërat Olimpike” – ka thënë ish kampioni i botës në boks. Edhe presidenti ukrainas, Zelensky ka qenë në mënyrë kategorike kundër pjesëmarrjes së sportistëve rusë në Lojërat Olimpike të 2024.
“Nëse sportet olimpike do të ishin vrasje dhe sulme me raketa, atëherë ju e dini se cila kombëtare do të zinte vendin e parë. Përfaqësuesit e shtetit terrorist nuk kanë vend në garat sportive dhe olimpike. Dhe nuk mund të mbulohen krimet me ndonjë neutralitet të shtirur apo me një flamur të bardhë”. Zelensky u shpreh se pjesëmarrja e sportistëve rusë në Lojërat Olimpike janë një “manifestim i dhunës”.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar IOC, duhet të gjejë një zgjidhje, teksa ndodhet përballë një situate tepër të vështirë, nëse duhet apo jo të marrin pjesë sportistët rusë dhe bjellorusë në Paris 2024.