E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetër qeverisje votojmë, tjetër kemi në krye

Elton Leka/Pedagog

-Në demokracinë shqiptare ka pothuajse 20 vjet që në çdo zgjedhje vota e shqiptarit vidhet dhe tjetërsohet. Përdor fjalën ‘vjedhje’ për të mos bërë lojëra fjalësh pasi ky është një fakt i turpshëm. Dhe kjo bëhet me vetëdije të plotë nga disa maskarenj të veshur me pushtet të përkohshëm, por të plotfuqishëm për të grabitur vullnetin e popullit. Te vota fillon demokracia, fillon ‘abc’ e një qeverisjeje. Ne jemi sot në këtë gjendje të mjerueshme, jo vetëm ekonomike dhe politike, por edhe te mungesës të shtetit ligjor, pasi kemi një sistem drejtësie, i cili nga raportet e Transparency International renditet si më i korruptuari në Europë.

E gjithë kjo vjen si shkak i drejtpërdrejtë i vjedhjes së vullnetit të lirë të popullit. “Çdo popull ka qeverinë që meriton”, citohet shpesh një të ketë thënë një filozof i madh. Kjo nënkuptonte që vota të ishte e lirë dhe jo të grabitej. Tek ne vota vidhet ditën me diell e në sy të gjithëve dhe më pas me grabitjen e vullnetit të qytetarëve formohen qeveri që populli nuk i ka votuar. Thuhet që ne shqiptarët nuk dimë të bëjmë shtet, nuk dimë të bëjmë zgjedhje, nuk dimë të votojmë e gjëra të tjera si këto. Por problemi nuk qëndron te shqiptarët por te ‘disa’ shqiptarë, të cilët një herë të katapultuar në politikë zgjedhin rrugën e grabitjes së votës. Vullnetin, populli ynë e shpreh në mënyrë shumë të qartë ditën e zgjedhjeve duke shkuar te kutia e votimit dhe me qytetari pothuajse europiane shkund votën e tij. Por ajo që ndodh më pas nuk ka të bëjë më me votën dhe vullnetin e tij.

Më pas fillon plaçkitja, transformi mi, eliminimi dhe grabitja e atij vullneti. Askush nuk ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë. Por fatkeqësisht kjo gjë ndodh. Ashtu siç ndodhi dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, por edhe në ato vendore, që ishin dhe më të turpshme. Në Shqipëri vazhdohet t’i bëhet karshillëk vullnetit të lirë të popullit. Këto zgjedhje janë shansi i fundit për një brez politikanësh, të cilët morën në dorë fatet e Shqipërisë post komuniste, por që nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë mbjellë farën e keqe të korrupsionit dhe të kleptomanisë së votës së lirë. N.q.s dhe kësaj here do të ketë përsëri grabitje dhe tjetërsim të vullnetit të lirë, atëherë turpi dhe historia do t’i ‘djegë’ këta batakçinj në librat më të errëta që ka njohur ndonjëherë ‘ferri’ i historisë shqiptare.

Ky popull është shumë i durueshëm me armikun e huaj, por ka treguar që është edhe shumë i durueshëm edhe me ‘armiqtë’ e brendshëm. Nga shumë shqiptarë, të majtë dhe të djathtë, po i bëhet thirrje kësaj qeverie të mos grabisë votën e lirë. Por kjo grabitje duket sikur po paralajmërohet nëpërmjet mungesës së plotë të funksionimit të KQZ-së si dhe me mungesën totale të besimit tek Institucioni i Gjykatës, si e pavarur dhe e paanshme politikisht. Por a do t’i dëgjojë njeri këto thirrje, gati të dëshpëruara për një të drejtë themelore, siç është shprehja e lirë e vullnetit popullor? Të shpresojmë që kësaj radhe shqiptarët, jo vetëm të votojnë, por edhe t’u numërohet vullneti siç e kanë shprehur, në mënyrë që më në fund të kenë qeverinë që meritojnë!


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›