Tjetër takim për reformën zgjedhore e kushtetuese

Janë kaluar disa muaj që reforma zgjedhore ka ngecur, ndërsa fajtori vazhdon të mbetet ‘jetim’. Liderët e subjekteve politike, sipas burimeve të Radio Kosovës, pritet të mblidhen gjatë javës së ardhshme në përpjekje për zhbllokimin e këtij procesi.
Anëtari i Komisionit për reformën zgjedhore, nga PDK-ja, Behar Selimi nuk e mohon mundësinë e një takimi të tillë, në të cilën mund të ketë marrëveshje të re për vazhdimin e procesit të reformës zgjedhore. Sipas tij, edhe nëse do të ketë ndonjë marrëveshje të re, ajo do të jetë në frymën e marrëveshjes së vitit të kaluar.
Por, LDK-ja vazhdon të këmbëngul për zbatimin e marrëveshjes së vitit të kaluar. Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija tha se nuk mund të kërkohet marrëveshje e re, pa zbatimin e marrëveshjes së vjetër. “Në qoftë se nuk përmbushet ajo marrëveshje, as legjitime as morale që të kërkohet një marrëveshje e re mbi marrëveshjen ekzistuese”, tha Sahatçija.
E, sipas Burim Ramadanit, nga AAK, bllokimi i reformës nuk mund të ndërlidhet me gatishmërinë e AAK-së për marrjen e përgjegjësive të reja. Sipas tij reforma po bllokohet shkaku i të tjerëve./Indeksonline/