E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetër vrasje për gjakmarrje në Shkodër, shoqëria civile proteston

Share

Një 40 vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në komunën Bushat të rrethit të Shkodrës. Dyshohet se viktima Lulzim Qarri është vrarë për gjakmarrje.

Mësohet se viktima është gjetur i pajetë në një kanal pranë kësaj komune. Policia thotë se ende nuk janë identifikuar autorët, ndërsa mendohet se viktima mund të jetë qëlluar diku tjetër dhe është hedhur në kanal.

Mbrëmjen e kaluar shoqëria civile në Shkodër bëri një protestë të heshtur kundër gjakmarrjes, nisur edhe nga rasti i ekzekutimit të një 17 vjeçare. Dhjetëra qytetar të Shkodrës janë mbledhur në një tubim kundër gjakmarrjes në rrugën pedonale Kole Idromeno, dedikuar 17 vjeçares Marije Qukaj, e vrare tre javë më parë në zonën e Dukagjinit. Në tubim ishin te pranishëm familjarë dhe të afërm të Marijes, të cilët me lot në sy ndezën qirinj duke apeluar për drejtësi. Ky marshim kundër gjakmarrjes Në emër të Marijes, i organizuar nga alternativa civile, Lëvizja Shqipëria e Re dhe Bashkësia e Udhës Shpirtërore i përcolli një mesazh strukturave të shtetit, se duhet ti japin zgjidhje një herë e mirë fenomenit të gjakmarrjes. Drejtuesi i Alternatives Civile, Mentor Kikia, u shpreh se strukturat shtetërore dhe e gjithë shoqëria duhet të ndërgjegjësohen dhe të veprojnë konkretisht që fenomeni i gjakmarrjes të ndalet. Marshimi më pas ka vijuar në rrugët kryesore të qytetit me qirinj të ndezur dhe me foton e Marijes në duar. Atij i janë bashkuar dhjetëra qytetarë, duke përcjelle mesazhin se brezi i ri nuk duhet ta njohë gjakmarrjen. Më pas, në shenjë simbolike për paqen, tubuesit lëshuan disa tullumbace të bardha në ajër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›