E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja për tokën, babai i viktimës: Kjo që ndodhi i vuri vulën e turpit fisit Muri

SHKODËR - Një heshtje e zezë të pret në fshatin Vukatanë, vetëm pak minuta larg qytetit të Shkodrës. Qetësia mbytëse prishet ndërsa thirrjet e grave, të qarat dhe vaji i tyre depërtojnë deri në brendësi të fshatit. Në oborrin e shtëpisë njëkatëshe një grup burrash po ndërtojnë tendën ku do të kryhet ceremonia mortore.

E ndërsa njëra derë është hapur për mort dhe njerëzit hyjnë në të pa pushim, shtëpia e kushërinjve të parë vrasës që thuajse është ngjitur me të, është e mbyllur. Brenda saj duket se nuk ka jetë. Të vetmit që lëvizin në rrugën afër kësaj banese janë uniformat blu, të cilët kanë si qëllim parandalimin e një hakmarrje të mundshme. Në njoftimin e vdekjes, i riu Gjin Muri, i vrarë nga djali i xhaxhait të tij dhe i ndihmuar nga xhaxhai i viktimës, ka dalë me fotografinë e ditës së dasmës.

Ka dalë dhëndër, pasi kishte vetëm 6 muaj që ishte martuar. Familjarët e Gjin Murit nuk pranojnë të flasin, pasi gjithçka ia kanë lënë në dorë strukturave shtetërore. Me kokën ulur, babai i viktimës, Mark Muri shpreh indinjatën e tij, duke thënë se kjo që ka ndodhur i vendos vulën e turpit fisit Muri. Ndërkohë, policia pa kaluar 24 orë nga ngjarja tragjike ka zbardhur ngjarjen. Konflikti mes 54-vjeçarit Nikë Muri dhe nipave të tij ka marrë shkas për një copë tokë.

Mësohet se 33-vjeçari i sapomartuar kishte nisur të ndërtonte një shtëpi të re në hapësirën mes dy shtëpive. Ky fakt ka bërë që të reagojë Nika me djemtë e tij dhe herë pas here ka pasur sherre. Ndërkohë që konflikti i së mërkurës kishte lindur nga një çështje banale, pasi lopa e njërës shtëpi kishte ngrënë hardhitë e shtëpisë tjetër. Në sherr e sipër, 23-vjeçari Çesk Muri i ndihmuar nga babai i tij ka vrarë kushëririn e tij, Gjinin. Pas ngjarjes policia ka arrestuar babë e bir që mbetën të plagosur në këtë konflikt si dhe janë shoqëruar dy vëllezërit e Viktimës, Aleksandër e Gegë Muri që gjithashtu u plagosën.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›