Tkurrja e akullit po shkakton dimrat e egër

Tkurrja e vazhdueshme e shtresës së akullit në Arktik fajësohet për dimrat gjithmonë e më të ftohtë e me reshje më të shumta dëbore në Britaninë e Madhe dhe në pjesë të tjera të Europës, Amerikës së Veriut dhe Kinës.
Me rritjen e temperaturave globale, pjesët e oqeanit Arktik, të mbuluara nga akulli në verë dhe vjeshtë, janë pakësuar.
Kjo, sipas studimit të një ekipi shkencëtarësh amerikanë e kinezë, ndikon direkt mbi rrymat nënujore, duke sjellë për pasojë një mot të acartë e me reshje të dendura dëbore.
Një përkeqësim i menjëhershëm i shtresës së akullit në Arktik nisi të vihet re në periudhën mes verës së vitit 2006 dhe 2007, kur u shënua dhe rekordi i tkurrjes së sipërfaqes së bardhë, që ende nuk është këndellur.
Ky dimër ishte veçanërisht i ashpër, me një valë të ftohti siberian që goditi pa paralajmërim Europën Qendrore dhe atë Lindore, pas temperaturave gati pranverore.