Tmerr në Greqi, vritet emigranti shqiptar dhe theret fëmija i tij 3-vjeçar. Dyshime se njohu autorët

Foto nga vendi i ngjarjes
(E PERDITESUAR)- Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur dje në Greqi, ku është gjetur i vrarë me një plumb në kokë një emigrant shqiptar, ndërsa në krah të tij ndodhej edhe djali i tij tre vjeçar, që ishte therur në qafë.
Kufomat u gjetën në një kanal në fshatin Plati të Kalamatës. Ka qenë një kalimtar grek, i cili ka parë një makinë në kanal dhe mendoi se ishte aksident. Menjëherë ka njoftuar policinë dhe ambulancën. Kur blutë greke kanë shkuar në vendin e ngjarjes, konstatuan se babai emigrant shqiptar ishte ekzekutuar me plumb në kokë, ndërsa djali i tij ishte therur me thikë.
Sipas banorëve të zonës, emigranti shqiptar jetonte vetëm në Plati të Kalamatës, ndërsa familja e tij jetonte në Shqipëri. Muajt e fundit, me liberalizimin e vizave, ai merrte në Greqi bashkëshorten dhe djalin e tij 3-vjeçar, ndërsa thuhet se ka edhe një djalë më të madh, i cili ka probleme shëndetësore dhe që jeton në Shqipëri, raporton Albnow.
Ende nuk dihen motivet dhe autorët e këtij krimi horror, ndërsa policia greke tashmë ka nisur hetimet, por nuk ka bërë ende me dije identitetin e viktimave.
Në zonë emigranti njihej me emrin Filip Mezani dhe të gjithë flasin për një njeri familjar, të rregullt dhe shumë punëtor.
“Jetonte prej 15 vitesh në Plati dhe e kishim si djalin tonë. Punonte me sezone, herë në Plati dhe herë në Kiparisia. Nuk i bënte bisht punës. Ishte njeri aktiv dhe i gjithë fshati Plati e respektonte dhe e donte si fëmijën e tij,” tha kryetari i komunës Plati për Albnow zoti Jorgos Xhavaras.
Dyshimet janë se fëmija ka njohur autorët e krimit.