E Shtunë, 31 Tetor 2026

“To late”, ngushëllues për Onufrin!



Teknomedia që ofron artisti i ri Driant Zeneli hyn në ato synime të mprehta të irealit që lidhet me njerëzit dhe kohën. Ndonëse i ri, konkretisht artisti reagon mbi një faktor historik, politik të vendit tonë, se sa vonë jemi! Thjesht për çfarë flet Drianti dhe puna e tij, mbi të nuk ka shtuar shumë juria e djeshme e mbledhur nga të gjitha anët e botës, pesë anëtarë, për të vlerësuar në konkursin e “Onufrit” vetëm 13 artistë, dhe këta shqiptarë.

Driant Zeneli ndoshta do të kishte dëshirë që “triumfi” i tij modest të ishte përballë me më shumë sfidues si fjala vjen nja 30 artistë për t’u ballafaquar, po ashtu artisti i ri që ia ka ënda të jetojë mes Shqipërisë dhe Italisë (vendi ku ka mbaruar studimet), të përjetojë një ceremoni ëndërrimtare të dhënies së çmimit, më shumë famë mes artistësh profesionistë, si i pari i “Onufrit” 2008.

Të paktën këtë e meritojnë punët e tij. Dy videot “To late”, dhe “Puzzle” na dëshmojnë një perspektivë të artistit Driant Zeneli, për të kuptuar irealin e këtij brezi në kontekstin metafizik me vendin. Të dyja punët janë vlerësuar për mprehtësi në perceptimin kuratorial të Rikardo Caldura-s, sa i takon pyetjes angazhuese “A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?”. Juria që ka parë gjithë “Onufrin” për dy ditë, të përbërë nga Nissim Tal, drejtor i Përgjithshëm i Muzeve te Artit në Haifa, Izrael;

Raya Zommer, drejtoreshe/Kuratore e Muzeut Janco-Dada, Ein-Hod, Izrael; Parid Teferici, artist; Elizabeth Neilson, kuratore dhe Drejtoreshë e Zabludowicz Collection, Angli; Daniele Capra, kritik Arti për revistën online “Exibart”, Itali - pra këta emra nuk e kanë pasur aspak të vështirë të qarkojnë fituesin, në mes 13 emrave shqiptarë, ndërkohë që fituesi i tyre, njihet edhe si artist i ftuar në revistën e sipër shënuar italiane “Exibart”. Ftesa inspiruese për të qenë në jurinë e konkursit “ndërkombëtar” të sivjetshëm, anëtarët e saj e kanë parë gjykimin në një argument; “nuk ka qenë problem numri i paktë i artistëve, sepse ata merrnin pjesë me më shumë se dy punë”. Kryetarja e jurisë, Raya Zommer, e cila do të qëndrojë në Shqipëri edhe për dy ditë të tjera, tha se pavarësisht nevojës të pjesëmarrjes nga vende të ndryshme, ka qenë e befasuar që ka gjetur kaq artistë të mirë dhe art të mirë.

Për një atmosferë shqiptare, se si punët e artit postmodern shkojnë këtu, ky prononcim ka qenë ngushëllim për “Onufrin” e 2008-s, ku befasi ishte dhe tërheqja nga konkurrimi i tre artistëve, pikërisht në ditën e fundit. “Onufri” i 2008-s ndoshta për disa punë racionale ja ka vlejtur, për t’ju larguar dështimit edhe pse juria e zbarkuar nga jashtë me më shumë bujë se vetë konkursi ka qenë një “bombë” e vërtetë, për ta kuptuar hendekun dhe handikapin e sivjetshëm të këtij konkursi, me artistë të zgjedhur. Po aq ngushëlluese për këtë ekspozitë-konkurs ka qenë pra, në këtë kontekst, edhe fituesi me videon “To late”. Driant Zeneli që vjet iu afrua me çmimin e dytë “Onufrit” me punën “Kur të rritem dua të bëhem artist”, na tregon me “germa” këtë vit projektimin e hapësirës, lëvizjen e kohës, ajo “që lexohet si kohë iracionale, kurse ne individët kërkojmë ta iracionalizojmë atë”.

Ky është paradoksi kohor shqiptar në hijen e projektuar në shkrimin “To late”. Ky imazh teknomedia, lidhet me historinë e artit, por edhe në historinë politike e shoqërore shqiptare, e që është e lidhur me konceptin e vonesës ndaj modernizmit nga pasojat e sundimit të gjatë otoman, vonesë në integrimin evropian, duke kujtuar vetëm konstituivin e një qeverie të mirëfilltë në ‘28, vonesë në zhvillimin brenda vetë sistemeve social-komuniste, me izolimin e vendit jo vetëm ndaj Evropës Perëndimore, por edhe ndaj asaj të Lindjes. Ndërsa për punën e dytë, Drianti na tregon për një lloj imazhi, si lojërat e fëmijëve, interesanten për mënyrën se si plotësohen kuisi, ku të gjitha copat e imazhit janë të njëjta, duke nënkuptuar regatat midis tyre. Metafora efikase e orvatjes për të kompozuar një rregull të përgjithshëm, duke u nisur nga elementët e një “tabula rasa”.

“Puna është një moment arbitrar, i cili vendoset dhe mbaron. Por mendoj se gjithë këta që janë prezent në këtë ekspozitë kanë fituar, sepse edhe numri ishte shumë i vogël dhe përzgjedhja ishte shumë e madhe, por dhe në një farë mënyre shumë e riskuar. Kështu në një farë mënyre të gjithë që morën pjesë kanë meritat e tyre, pastaj çmimi është një moment arbitrar, që vendoset”, - është shprehur pas marrjes së çmimit “Onufri”, Driant Zeneli.

Këtë vit juria, për shkak dhe të pjesëmarrjes së vogël, dha vetëm dy çmime. Çmimi i dytë iu dha Heldi Pemës për dy punët fotografike, të printuara ku në njërën i referohet një muri, të cilit, si në një mozaik, i rivendoset një pjesë e hequr pikërisht në boshllëkun e lënë prej saj. Kjo nuk ka ndonjë domethënie, as forma e saj, nuk ngjan me asnjë gjë të veçantë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›