Perla e Mesdheut
Qiproja ndodhet në kufirin që ndan botën Lindore nga ajo Perëndimore dhe është ishulli i tretë më i madh i Mesdheut, pas Sardenjës dhe Sicilisë. Vendndodhja e volitshme e ishullit ka ngjallur gjithmonë interes tek shtetet e tjera më të fuqishme. Origjina e emrit ‘Qipro’ vjen nga fjala antike e bakrit (Kypros), i cili gjendej me bollëk në ishull. Mendohet që banorët e parë mbërritën në ishull rreth viteve 7000 p. K. dhe gjurmë të vendbanimeve të para janë gjetur në Vrysi, në lindje të qytetit Kyrenia.
Sipas historisë, Qiproja u pushtua nga egjiptianët në vitin 1450 p. K., duke u pasuar nga asirianët, persianët, Perandoria Romake, Perandoria Bizantine, lusinjanët dhe venecianët deri në vitin 1571. Në këtë vit, në ishull u vendos Perandoria Osmane. Gjatë sundimit osman, që zgjati më shumë se 300 vite, në Qipro lindën dy komunitete: komuniteti i qipriotëve turq dhe komuniteti i qipriotëve grekë. Në 1878-ën filloi sundimi britanik, që vazhdoi deri më 1960, viti kur u shpall Republika e Qipros. Me shpalljen e Republikës lindën tensionet mes dy komuniteteve, sepse qipriotët grekë dëmtuan të drejtat e limituara që Kushtetuta e Republikës së Qipros i ofronte popullsisë turke të ishullit. Kjo shkaktoi ndarjen e ishullit në Qipron Veriore dhe Qipron Jugore në vitin 1974. Kufiri mes këtyre dy pjesëve, që njihet si ‘Vija e Gjelbër’, kalon përmes Nikozisë (Lefkosha), kryeqytetit të të dyja pjesëve, dhe akoma sot ndan dy Qiprot. Popullsia turke e Qipros është e vendosur në Qipron Veriore, kurse popullsia greke e Qipros është e vendosur në Qipron Jugore. Megjithatë, kufiri mes dy Qiprove u hap zyrtarisht në prill 2003 dhe që atëherë, ka më pak kufij, sidomos në disa vendkalime kryesore mes dy pjesëve. Për sa u përket anëtarëve të Bashkimit Evropian, ata janë të lirë të kalojnë në Qipron Veriore apo Jugore.
Republika Turke e Qipros Veriore (emri zyrtar i Qipros Veriore) u krijua më 15 nëntor 1983. Shpallja e kësaj republike shënoi pavarësinë e Qipros Veriore nga Republika e Qipros (Qiproja Jugore), por u njoh si e pavarur vetëm nga Turqia. Megjithëse nuk është akoma e njohur zyrtarisht nga shtetet e tjera të botës, Qiproja Veriore ka marrëdhënie të mira diplomatike me shumë shtete, kryesisht me Britaninë e Madhe, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qiproja Veriore është republikë shumëpartiake. Ka një popullsi prej 220,000 banorësh, 98% e të cilëve janë myslimanë. Kryeqyteti, Nikozia, është qyteti më i populluar dhe pas tij, Famagusta.
Bisedimet për të ribashkuar dy Qiprot janë të vazhdueshme midis qipriotëve turq dhe atyre grekë. Por, për shkak të neglizhencës dhe të refuzimeve të Republikës Greke, ky proces ka përparuar shumë ngadalë. Referendumi në prill 2004 është një provë e këtij fakti. Ky referendum u bazua ne një plan, i njohur si Plani Anan dhe i nënshkruar nga Kofi Anan dhe Kombet e Bashkuara. Ky plan komprometonte të dyja palët e Qipros në mënyrë që t’u jepnin fund përpjekjeve të vazhdueshme për ribashkim. Pala turke votoi në favor të këtij plani, megjithëse i kërkohej të hiqte dorë nga një pjesë toke, çka do të shkaktonte kthimin e shumë qipriotëve turq në refugjatë. Një pjesë e madhe e grekëve votuan kundër. Plani Anan dështoi.
Qiproja Veriore është një vend që e meriton me të vërtetë titullin ‘Perla e Mesdheut’ për shkak të bregdetit të bukur që ka, kështjellave mesjetare, qendrave arkeologjike dhe klimës mesdhetare, e karakterizuar nga një diell i vazhdueshëm rreth 300 ditë të vitit. Për më tepër, dashamirësia dhe mikpritja e njerëzve, si dhe kuzhina e tyre e veçantë, e bëjnë këtë ishull një mjedis ideal për t’u vizituar, për të studiuar apo për të jetuar. Pushtimet e vazhdueshme gjatë shekujve kanë bërë që Qiproja të trashëgojë një histori të pasur dhe të ketë një arkeologji të shumëllojshme. Nuk është çudi që sipas një legjende, ky ishull iu dhurua Kleopatrës nga Jul Cezari si një shenjë e dashurisë së tij.
Edukimi është një ndër përparësitë e komunitetit të Qipros Veriore. Ajo është bërë një qendër e rëndësishme për edukimin ndërkombëtar. Gjenden rreth 25,000 studentë ndërkombëtarë që studiojnë në universitetet e Qipros Veriore dhe përbëjnë 10% të popullsisë totale. Jo vetëm sistemi i zhvilluar dhe bashkëkohor i edukimit, por edhe mendësia miqësore, e sigurt dhe e këndshme e studentëve e bëjnë këtë pjesë të ishullit shumë të kërkuar nga studentët e huaj.
Universiteti i Mesdheut Lindor (Eastern Mediterranean University), ku unë studioj prej 4 vitesh, u krijua në vitin 1979 dhe ndodhet në Famagusta (Gazimagusa). Është një universitet i vërtetë global, që u jep studentëve mundësinë për t’u edukuar në një mjedis ndërkombëtar, për të njohur njerëz nga shtete të ndryshme dhe për të mësuar rreth kulturave të ndryshme. Universiteti i Mesdheut Lindor ofron edukimin në anglisht dhe bashkëpunon me 80 universitete të botës. Ka më shumë se 14,000 studentë nga 68 shtete të ndryshme të botës dhe 1000 anëtarë të trupit pedagogjik nga 35 shtete të ndryshme. Në këtë universitet ofrohen 66 programe akademike, të njohura në të gjithë botën.
*Studente në Eastern Mediterranean University