Godo, bashkëpunim me Kinën në mjekësinë rehabilituese
Bashkëpunimi dypalësh shqiptaro-kinez në shëndetësi dhe zgjerimi i mëtejshëm i tij ishte në qendër të takimit që ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, pati me ambasadorin kinez në Tiranë, Uang Çun Lin.
Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur se "një nga pikat më të rëndësishme, ku u përqendrua biseda mes palëve, ishte kërkesa nga ana e MSH-së për bashkëpunim në fushën e mjekësisë rehabilituese, si një nga specialitetet më të suksesshme në sistemin shëndetësor kinez".
Sipas draft-marrëveshjes të dërguar nga Ministria shqiptare e Shëndetësisë, është kërkuar nga pala kineze bashkëpunim në shkëmbimin e informacioneve dhe dokumentacionit mbi shëndetin në sektorët me interes të përbashkët. Gjithashtu, në draft-marrëveshje parashikohet promovimi i kontakteve ndërmjet institucioneve, spitaleve dhe organizmave që veprojnë në fushën e shëndetësisë në të dy vendet, shkëmbimi i informacioneve mbi aparaturat e reja, produktet farmaceutike dhe zhvillimet teknologjike në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore.
Pika të tjera të propozuara për bashkëpunim janë dhe pjesëmarrja në kongreset dhe simpoziumet me karakter ndërkombëtar, që do të trajtojnë aspekte të shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, që do të mbahen në vendet përkatëse dhe me kërkesë të secilës palë, bashkëpunimi për përgatitjen dhe prezantimin e projekteve të përbashkëta kërkimore zhvillimi, asistencë teknike dhe formimi, si edhe trajnime afatshkurtra të specialistëve shëndetësorë.