E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toci: Aleanca PS-LSI, nuk ka me kuptim

Deputeti i Partise Socialiste, Fatmir Toci, deklaron se pas votes se vitit 2009 dhe zgjedhjeve te majit, nje koalicion mes PS-se dhe LSI-se, do te dukej i pakuptimte per elektoratin e Partise Socialiste. Ne nje interviste dhene per "Koha Jone", Toci shprehet se opozita do te bashkepunoje vetem me ato forca qe kerkojne largimin e qeverise dhe jo me ato qe e mbajne ne pushtet me vota. I pyetur per mundesine e nje carjeje tjeter te PS-se, ne rast te perjashtimit te deputeteve Harasani dhe Islami, Toci shprehet se nuk eshte kunder mendimeve ndryshe, por ato duhet te shprehen vetem ne forumet dhe strukturat e partise.

Ne nisje te sesionit te ri parlamentar, PS vendosi hyrjen ne Kuvend dhe votimin e ligjeve kryesore qe lidheshin me integrimin. Pas me shume se nje muaji, nuk eshte miratuar asnje ligj qe kerkon shumice te cilesuar. Zakonisht, llogarite kerkohen te shumica, por per vete mazhorancen, opozita duhet te vere ne zbatim deklaratat per dhenie te votave.

Se pari, dua te kujtoj se PS asnjehere nuk eshte shprehur se deputetet e saj nuk do te merrnin pjese rregullisht ne nisjen e sesionit te ri parlamentar. Nderprerja e punimeve te Kuvendit, ishte nje marreveshje midis paleve per shkak te fushates zgjedhore te zgjedhjeve vendore, ndersa pas perfundimit te ketyre zgjedhjeve, kemi qene ne pritje te zbardhjes se rezultatit dhe ne kerkim te transparences se ketij rezultati. Ne jemi ne Kuvend dhe ne komisionet e ketij Kuvendi per te diskutuar, debatuar dhe votuar ligjet, dhe jo thjesht per te ngritur kartonin jeshil per ato ligje-pacavure qe, ne mungese te plote te pergjegjesise, mazhoranca e sotme ia ka percjelle Kuvendit per miratim, duke kerkuar edhe voten tone. Ne, ne te drejten tone dhe ne interes te seriozitetit te punes se deputetit, kemi kerkuar rikthimin ne komisione te te gjitha ligjeve qe jane kaluar nga keto komisione gjate mungeses sone, per t'i diskutuar, duke degjuar dhe specialistet perkates, dhe grupet e interesit, duke shmangur keshtu formalitetin dhe per t'i sherbyer sic duhet zgjidhjes se ceshtjeve qe trajtojne keto ligje. Ashtu si puna ne komisionet parlamentare, ne shohim me keqardhje se edhe puna ne seancat plenare, gjate mungeses sone, ka qene nje formalizem dhe nuk kane zgjatur me shume se takimet ne kafene. Shohim se kthimi yne ne sallen e Kuvendit eshte pritur me ngazellim nga mazhoranca, jo se na duan apo mendojne se do te mund te bashkepunojme, por sepse i kemi cliruar nga ngujimi dhe mungesa e shetitjeve neper bote, per shkak te kuorumit te brishte, ku edhe nje mungese e vetme rrezikonte zhvillimin e seances. Tani qe ne jemi ne sallen e Kuvendit, shohim se pjesemarrja e deputeteve te mazhorances, jo vetem nuk eshte asnjehere e plote, por ne pikat e fundit te rendit te dites, si interpelancat dhe diskutimet per ceshtje te tjera, ne salle nuk gjen me shume se 5 apo 6 deputete te pales tjeter.

Beni pjese ne ate politikane te PS-se qe keni kerkuar marrjen e masave, ne funksion te rregullores se grupit dhe statutit, per deputetet qe kane thyer vendimet politike te Partise. A nuk mund te sillte kjo mase nje carje tjeter te partise?

Jam shprehur gjithmone pro debatit dhe jam perkrahes i larmise se mendimit dhe opinioneve per ceshtjet qe diskutohen, brenda dhe jashte strukturave te Partise. Por nuk mund te jem dakord me veprimet ndryshe apo kunder, qe bien ndesh me statutin dhe rregulloret qe rregullojne jeten e brendshme te forces sone politike, te cilat i kemi diskutuar dhe miratuar bashkerisht, me vetedije dhe vullnet te lire. Une nuk mendoj se me kete qendrim rrezikojme carje te grupit, perkundrazi e forcojme dhe e shendoshim edhe me shume grupin dhe te gjitha strukturat e partise deri ne baze.

Ne lidhje me zgjedhjet e ardhshme, mbetet ende i diskutueshem qendrimi i PS-se per koalicion me LSI-ne. Mendoni se LSI-ja duhet te jete pjese e koalicionit te majte?

Eshte fakt qe LSI-ja e shpetoi qeverine e Sali Berishes nga rrezimi ne zgjedhjet e qershorit te vitit 2009 dhe eshte perseri kjo force politike qe e mban ate ne pushtet. Ajo eshte bere njesh me politikat antikombetare te kesaj qeverie, pjese e veprimtarise se saj korruptive, madje edhe ne mbrojtje te hapur te akteve kriminale, deri ne vrasjen e njerezve te pafajshem, sic ndodhi ne rastin e shperdorimit te statusit te Gardes se Republikes, kur u urdherua te qellohej mbi protestuesit paqesore dhe si pasoje, te vriteshin njerez te pafajshem ne mes te bulevardit, etj. Mendoj se PS-ja duhet te pranoje te lidhe aleanca e te bashkepunoje duke bashkerenduar punet e programet me te gjitha forcat politike qe jane shprehur dhe jane te gatshme te veprojne per largimin me vote te kesaj qeverie. Duke e pare realisht ne praktike veprimtarine e LSI-se gjate ketyre me shume se dy vjeteve, me duket i pakuptimte dhe i papranueshem nga elektorati i majte, aleanca me lidershipin e LSI-se. Nderkohe qe ne jemi te hapur me te gjithe anetaret e kesaj force politike qe do t'i bashkengjiteshin kauzes sone per largimin nje ore e me pare te kesaj qeverie antikombetare dhe antishqiptare, me kuptimin e plote te kesaj fjale.

Pakti i PS-se prej 10 pikash eshte cilesuar si pjese e kursi te ri politik. Nderkohe qe nga ana e mazhorances, propozimet jane quajtur kushte. Cfare do te beje PS-ja nese nuk pranohet asnje prej tyre?

Nese behen vetem fare pak perpjekje dhe shihet me vemendje, do te vihet re se pakti i Partise Socialiste prej 10 pikash rrjedh kryesisht nga 12 prioritetet qe BE i ka vene vendit tone, per hapjen e negociatave te vendit kandidat. Edhe pse te tilla, PD i ka kundershtuar, ashtu sic kundershton cdo nisme apo propozim qe vjen nga opozita. Nese nuk pranohet asnje prej tyre, sikurse po duken gjasat, pergjegjesia eshte e vetem kesaj mazhorance. Duket qarte qe Berisha me te tijte, nuk e do Shqiperine ne Bashkimin Evropian, madje kam pershtypjen se po ndihet ngushte edhe per faktin qe vendi yne eshte tashme anetar i NATO-s. Me statusin aktual, atij i duket vetja mbret, cifligar apo kreu ne nje tribuje ekzotike ne mes te Evropes. I duket vetja Zot i ketij vendi, me te cilin mund te beje cfare te doje, i pakontrollueshem dhe pa qene i detyruar t'i jape llogari kujt. E gjitha pjesa tjeter e qendrimit publik te tij, eshte nje demagogji e dale boje.

Kreu i PS-se ka ftuar se fundmi ne nje debat publik kryeministrin Sali Berisha. Cfare do te ndryshonte ne skenen politike nje perballje mes dy lidereve kryesor?

Ftesa per debat publik midis dy lidereve te dy forcave me te medha politike ne vend, eshte ftesa per shpalosjen dhe perballjen e dy alternativave per drejtimin dhe zhvillimin e vendit. Berisha nuk ka pranuar dhe s'ka per te pranuar ndonjehere per shkak te keqqeverisjes dhe skandaleve te pandalshme te kesaj qeverie. Berisha nuk ka se cfare t'u thote shqiptareve per katastrofen ekonomike ku e ka zhytur vendin, per varferine e tejskajshme qe ka pllakosur cdo familje, per papunesine, rritjen galopante te cmimeve, per korrupsionin qe ka depertuar ne cdo qelize te administrates shteterore dhe per rrezikun qe i kanoset shoqerise shqiptare per shkak te ngushtimit gjithnje e me teper te hapesirave te lirise e demokracise. Debati publik midis dy krereve te dy partive me te medha, do te ishte pjese e debatit per problemet me te medha qe kalon sot vendi. Z. Berisha dhe mazhoranca e sotme, predikojne pa nderprerje nevojen per dialog, per bashkepunim me opoziten. Ky debat do te ishte pjese e ketij dialogu dhe ballafaqimi me alternativat e zhvillimeve politiko-shoqerore te vendit e, ndoshta, fillimi i nje bashkepunimi per zhbllokimin e reformave qe per shume arsye qendrojne pezull. Sfida eshte e hapur. Refuzimi eshte dukshem frike nga ballafaqimi me te verteten dhe alternativen me te mire qeverisese.

Si e vleresoni raportin e KE-se? A duhet te ndjeje pergjegjesi opozita per mosmarrjen e statusit dhe cfare duhet te beje klasa politike pas refuzimit per here te dyte nga KE?

Ky ishte nje nga raportet me objektive dhe me te drejtperdrejte qe eshte hartuar ndonjehere per Shqiperine dhe per rrugen e saj drejt integrimit, pa retorika dhe qendrime me dy kuptime. Progres-Raporti i KE-se, i cili i refuzoi Shqiperise statusin e vendit kandidat per te dyten here, nuk ishte i papritur dhe as ndonje befasi per politiken shqiptare, por edhe te gjithe shqiptaret qe i kane kthyer syte prej kohesh nga Evropa e bashkuar. Nuk ishte i papritur jo vetem per faktin se prej ditesh kishte rrjedhje te informacionit per qendrimin e KE-se ndaj vendit tone dhe ishte krijuar nje atmosfere gri - pesimiste nder shqiptaret, por edhe sepse cdo njeri ne kete vend (dhe tani edhe faktori nderkombetar) eshte i ndergjegjshem dhe vetedijshem per politikat dhe praktikat korruptive, klienteliste dhe antikombetare te kesaj qeverie, te cilat po na largojne gjithnje e me shume nga Evropa. Nuk ishte e papritur per ne edhe perpjekja e menjehershme e krereve te mazhorances per ta faturuar kete si humbje te opozites dhe opoziten si shkaktare te ketij refuzimi. Ne fakt, eshte qesharake qe qeveria nxiton te dale dorejashte nga pergjegjesia, nderkohe qe eshte ajo qe ka marre persiper te drejtoje vendin prej integrimit, kur eshte ajo qe harton e zbaton plane zhvillimi, kur eshte ajo qe mbledh taksat e menaxhon buxhetin, qe ben politika sociale, qe nderton marredhenie bashkepunimi brenda dhe jashte vendit, etj. Ne raport eshte thene qarte dhe fare thjeshte se vendi nuk permbushi 12 prioritetet - detyra te lena qe nga viti i kaluar. Jane 12 prioritete qe kane te bejne me punen e shumices se sotme ne politiken shqiptare. E vetmja pike qe ka te beje me opoziten eshte jeta parlamentare e saj, edhe kjo e perbashket, per shkak te klimes jobashkepunuese qe na eshte ofruar, ku asnjehere ne keto dy vjet nuk kemi gjetur hapesirat e nevojshme per nje jete normale parlamentare, per shkak te dhunes verbale e psikologjike te ushtruar nga drejtuesit e Kuvendit dhe kryeministri i vendit. Ju pyesni nese ndjen apo jo opozita pergjegjesi per mosmarrjen e statusit. Padyshim qe duhet te ndjeje: duhet te ndjeje pergjegjesine e madhe te faktit se per shkak te numrave, nuk kemi mundur akoma ta largojme kete qeveri qe ka punuar e punon kunder interesave te vendit e te shqiptareve. Cfare duhet te beje klasa politike pas refuzimit per here te dyte nga KE? Besoj se jemi ne nje mendje me shumicen e shqiptareve: qeveria te jape doreheqjen, per shkak se nuk mundi te permbushe elementin kryesor te premtimit te saj, integrimin e vendit ne Evrope dhe t'i hapet rruga zgjedhjeve te parakohshme. Edhe 20 muaj deri ne zgjedhjet e ardhshme, do te ishte nje kohe e humbur me kete qeveri, por edhe nje kosto shtese ne kurrizin e nje vendi te varfer si Shqiperia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›