E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka arkeologjike e Apollonisë mbillet me ullinj

Një sipërfaqe prej 4.5 ha tokë është kthyer në mollë sherri mes Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apollonisë dhe Komunës Dërmënas. Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik, Marin Haxhimihali, ka bërë publik cenimin e sipërfaqes së parkut. Sipas tij, një sipërfaqe prej afro 5 hektarësh, që mbart vlera arkeologjike dhe ende nuk është eksploruar, prej disa muajsh po shfrytëzohet për agrume. Haxhimihali pretendon se kjo sipërfaqe toke është nën administrimin e parkut, ndërkohë që Komuna Dërmënas pretendon të kundërtën. "Është cenim i hapur i vlerave të trashëgimisë kulturore, si dhe i sipërfaqes që ne si park kemi në dispozicion. Edhe herë të tjera janë regjistruar përplasje mes njësisë vendore dhe parkut, por ky është një skandal i radhës", ka thënë drejtori Marin Haxhimihali. Sipërfaqja që komuna ka dhënë me qira ndodhet në territorin kufitar të Parkut të Apollonisë, në pjesën verilindore të tij. Janë banorët e fshatrave të Komunës Dërmënas ata që kanë mundur të marrin në përdorim këtë sipërfaqe, kundrejt pagesës së një qiraje. Fermerët tregojnë se kanë nisur ta kultivojnë këtë tokë me ullishta. "Ne i kemi kërkuar komunës tokë me qira konform ligjeve dhe ajo na ka dhënë. Ne nuk dimë gjë se çfarë problemi ka kjo tokë", shprehet një prej tre fermerëve që ka përfituar tokë. Nga ana tjetër, në Komunën e Dërmënasit, komunë që ka në territorin e saj edhe Parkun Kombëtar të Apollonisë, kryetari Fadil Selaci ka thënë se "toka i përket komunës".

"Duke qenë se parku ka rrethuar të gjithë sipërfaqen që ka me dokumente, unë si kryetar komune dhe agronom i njësisë vendore që drejtoj, kam nxjerrë të gjitha sipërfaqet e lira dhe publike. Mes këtyre sipërfaqeve del edhe toka që sot pretendon kreu i Parkut të Apollonisë. Kam dhënë me qira atë pjesë që ka dalë tokë e lirë, dhe jo parkun", ka thënë kryekomunari Fadil Selaci. Pavarësisht kësaj përplasje komunë-park, në sipërfaqen e diskutueshme kanë nisur të rriten ullinj. Drejtori i parkut pranon se nuk ka ndonjë ekspeditë arkeologjike të afërme, e cila mund të nxjerrë vlerat që ka nëntoka në fjalë. Kurse kryekomunari vijon të këmbëngulë dhe të shkojë deri atje sa të thotë: "Le të vendos drejtësia për këtë problem". Ka vite që drejtuesit e Parkut të Apollonisë dhe Komuna Dërmënas përplasen për sipërfaqen reale arkeologjike. Dy vjet më parë, varreza e parkut është kthyer në objekt debati për territore. Sipërfaqja që Parkut Arkeologjik të Apollonisë zotëron me dokumente është 250 ha tokë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›