E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti Pirandello, Moisiu është me kombësi shqiptare

Teatri e joshte. Ai pati fatin e madh të jetonte në Gjermani në një kohë kur Evropa kishte një idhull të ri në këtë fushë. Ishte shqiptar, quhej Aleksandër Moisiu. Vitet ‘30 atë e gjetën në Gjermani. Vasfi Samim Visoka, veterineri i diplomuar në Stamboll, shkon për specializim në Berlin. Atdheu kërkonte sa më shumë intelektualë të afirmuar pranë vetes. Me të gjitha kushtet, Vasfiu duhet të sillte eksperiencën e një vendi të përparuar. Por interesat e këtij intelektuali kalonin përtej veterinarisë e zooteknikës, degë për të cilën u diplomua në Stamboll. Gjithnjë e më shumë nisi t‘u kushtohej problemeve shoqërore e kulturore.

Ai u angazhua në shtypin e kohës, shkroi një numër të konsiderueshëm artikujsh kushtuar jo vetëm fushës për të cilën u kthye në atdhe, por edhe për kulturën, letërsinë e gazetarinë. Numëron rreth 2000 artikuj të botuar në gazeta të ndryshme. Në 1930-ën niset drejt Gjermanisë, Berlinit. Janë vite të arta për Vasfiun. Janë vitet që ndoshta e kanë mbushur më shumë shpirtërisht se çdo eksperiencë tjetër. Ai qëndroi dy vite në Gjermani. Aktori i madh shqiptar, asokohe ishte ndër më të dashurit, të preferuarit, në mos më i magjishmi në skenën teatrore. Djaloshi nuk mund të mos i shkonte prapa suksesit të bashkatdhetarit të tij. Ishte krenar, sigurisht. Bashkë me të tjerët, duartrokiti suksesin e mjeshtrit të madh, e kërkoi t‘i kthehej skenës edhe pasi sipari kishte rënë. Kishte bërtitur edhe ai me të madhe: "Bravo Moisi"... Mbajti shënime, detaje nga skena, emocione prej spektatori, rrëfeu madhështinë e aktorit shqiptar. E madje ndoqi jo rrallë edhe shtypin e kohës, gjithë sa shkruhej për të. Ka mbajtur shënim një letër që shkrimtari i madh italian, fitues i çmimit "Nobel", Luigi Pirandello, i kishte dërguar aktorit shqiptar në muajin maj të vitit 1927. "Përshëndes bashkatdhetarin tim Aleksandër Moisiun, ndaj të cilit jam i detyruar në mënyrën më të thellë t‘i paraqes urimet e mia, meqenëse atë e quaj një nga interpretuesit më të përsosur të personazheve në veprat e mia. Më vjen shumë keq i dashur Moisiu, që nuk kam pasur rastin e bukur të asistoj personalisht në shfaqjen e Henric-ut IV, për të cilën kam dëgjuar fjalë shumë të mira. Interpretimi juaj paska qenë më i bukuri që mund të mendohej... Shpresoj se një ditë të afërt ju do të vini në Itali, pranë nesh dhe do të na dëftoni Henric-un tuaj, midis shumë tipave tuaj, që e keni krijuar me gjenialitetin tuaj... prej së largu, me miqësi, të shtrëngoj dorën!". Vasfi Samim Visoka, i ndjeshëm për kombësinë shqiptare të Moisiut, shkruan në artikullin e tij se kemi parë shumë shkrime kushtuar kombësisë së artistit të madh. "Por ky gjenial, artist i pa shok, shkruan më tej Samimi, poet‘i sqenavet dramatisjeni i përbotshëm, pa dyshim ishte shqiptar. Ay rridhte prej familjes Kavajase, që antarët e saj ende jetojnë në mes t‘onë". Vasfi Samimi, dinte të fliste për teatrin. E njihet mirë atë. Për një vit, gjatë qëndrimit në Gjermani, ai studioi në Teatrin e Berlinit. Pati fatin të ishte nxënës i Bertolt Brecht-it, e Max Reinhard-it. Ai mësoi aty gjithçka mbi artin skenik, me më të mirët e kohës. Në shkollën e Berlinit, që ishte më e larta e nivelit akademik teatral, Samimi pasuroi njohuritë e tij mbi skenën e teatrin. Pas kthimit në Shqipëri, shënimet ishin burimi i shkrimeve të gjata të cilat Vasfi Samim Visoka, botoi për aktorin Aleksandër Moisiu. Detaje të panjohura për këtë shqiptar të madh për të cilin, siç shkruan Samimi, shqiptarët shumë pak dinë. Reflektimet e tij, një pjesë e mirë e të cilave i përkasin vitit 1943, vënë në dukje se sa pak shqiptarët dinë për këtë personalitet me kombësi shqiptare, i cili mahniti Evropën mbarë. Në 22 mars, shënohen 74 vjet nga vdekja e Moisiut të madh, atij "djaloshi të panjohur që një ditë na dolli nga Durrësi i jonë i bukur dhe arrijti të sundojë më tepër se një çerek shekullit të gjithë botën teatrale t‘Europës dhe të kontinetevet të ndryshme, dyke valvitur si një flamur kapacitetin kulturor të rracës shqiptare!". Ndër artikujt e Vasfi Samim Visokës, kushtuar aktorit gjenial shqiptar, vihet re edhe fakti që ai shumë pak njihej e vlerësohej në vendin e tij. "Për fat të keq, dituria jonë mbi jetën e tij është tepër e kufizuar. Prandaj ata njerz që dinë diçka mbi artistin t‘onë të math, kanë detyrë si uhet të pranohe bashkatdhetarë të vihen në dispozicion të publikut. Na duket se ky interesim dt si një obligim i shënjtë për njerëzit t‘onë të mbëdhenj, që nuk patën rastin të jetojnë në mes nesh dhe vdiqnë në vende të huaja, dyke dhënë frymën e fundit në mërgimet mallëngjyese...". Samimi vetë la shënim dhe shkroi gjithë sa mundi rreth kësaj figure të njohur që ende na bën të ndihemi krenarë. Vite pas qëndrimit në Gjermani, publikoi herë me pseudonime (Mimi, Vasfa) e herë me emrin e tij të vërtetë, gjithë sa dinte e sa kishte mësuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Aleksandër Moisiut.

Gazeta "Tomorri", e mërkurë 24, mars 1943

Dy fjalë mbi kombësinë e Alexandër Moissi

Alexandër Moissi... Ky gjeni i artit dhe poet i sqenavet vdiq, 8 vjet përpara në Vjenë. Ishte një ditë pranverore, 22 Mars. Në kundërshtim me stinën e bukur, binte një shi i mërzitshëm, sundonte një kohë e vrejtur. Një shumicë e madhe njerëzish: mentarë, shkrimtarë, poetër, artistë, shokë e far‘e fisi ishin mbledhur rreth e rrotull krematorjumit... Po binte marshi funebër, simbolizonte zinë e turmës. Ceremonija nuk kishte pamjen e një nderimi, ase etikete të thjeshtë, sepse gjith‘Europa kishte humbur një mjeshtër gjenije! Një artist të mrekullueshëm! Atë e njihnin pothuaj të gjith njerëzit, që kishin ushqyer pak dashuri për sqenë, për theatër e për dramë. Por kaq... Shumica nuk e dinte kush ishte Alexandër Moissi, nga vinte, ç‘farë kombësi kishte? Të gjithë adhuronjësit ay i kishte fituar vetëm, me anën e artit të tij magji-plotë, i kishte rrëmbyer vetë ndërmjet sqenave, kritikave dhe adhurimeve, dyke skllavëruar dhe dyke i verbuar. Kështu, të paktën ishin ata, që kishin një interesim për origjinën e Moissit. Atë me vend Ollga Bertolli e quajti një: Nomad! Me të vërtetë ishte një udhtar, një nomad, një emigrant në botën e artit... Origjina e tij mbeti si një pikëpyetje në gjallëri dhe në vdekje. Kjo pikëpyetje nuk mund të zbërtheheshe dhe në këtë ditë të zezë, ku trupi i tij delikat, i vogël, i ndjeshëm do të shkrihesh mes flakëve të krematorjumit. Njerëz spekulatorë që kanë bërë zakon të dalin zotur disa xheni njerëzish të mëdhenj edhe këtë herë nuk munguan nga sqena. Fusha ishte mjaft‘ e përshtatëshme, sepse me të vërtetë problemi nuk dihesh siç duhet n‘atë vende, ku ka mbretëruar dhe sunduar gjenija shqiptare. Kanë filluar botime e shkrime të ndryshme, pretendime tendencioze dhe përvetsime qesharake. Në këtë çast puna e atyre korri mjaft suksese, sepse nga neve nuk kishte as njeri në këmvë dhe nuk jepte as njeri ndonjë rëndësi për këtë përvetsim. Shqipërija ishte e vogël dhe nuk kishte shtyp të përparuar por për fat të keq s‘kishte as njerëz luftëtarë, që të mbronin të drejtën e kombit në këtë fushatë kulturore e maturitetit të ndërgjegjes. Së fundi nuk duhet të harrohet se gjëra të këtilla zakonisht ngjasin gjithmonë rreth e rrotull njerëzve të mbëdhenj. P.sh. Napoleoni është një nga eksponentët më të mëdhenj për grindje të këtilla. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet pse Alexandër Moissi u përvetsua prej shumë kombeve të huaj dhe u harrua në mërgim prej shqiptarit...

***

Kemi takuar disa njerëz që na kanë shfaqur kureshtjen të dinë se Moissi e pranonte dhe e pohonte kombësin e vet. Këtyre duhet t‘u përgjigjemi menjëherë dhe me një po të sigurtë. Ay e dinte fare mirë se ishte prej fisit shqiptar. Këtë do t‘a shpjegojmë në mënyrë më të qartë në fund të këtij artikullit. Disa të tjerë Moissin e kritikuan dyke e akuzuar se nuk kishte kurajën të deklaronte botërisht origjinën e tij. Le të jemi pak gjak-ftohtë dhe të mendojmë nga një pikëpamje më realiste. Duhet të kthehemi në kohrat e kaluara, duhet të mendojmë ambjentin e atëherëshëm, ku ka luftuar dhe ka fituar artisti i jonë. Ay si një djalosh i ri, ardhur prej një vendi të thjeshtë të Ballkanit, natyrisht në fillim s‘kishte as një egzistencë materjale e morale. Përpara çdo gjëje ishte i detyruar që të fitonte jetën, kafshatën e bukës. Atdheu i tij i vërtetë për fat të keq, ndër ato kohëra nuk njihesh aq mirë, bile nga disa quhesh mbrapa, shumë mbrapa, ku nuk mund të bisedohesh mbi një qetsi normale, mbi një jetë të kultivuar, por edhe as pak mbi një botë artistike. Shumë luftra, grindje, grabitje dhe një fat i zi historik këtë vend e kishin lënë në mjerim e në errësirë. Ndërgjegja nacionale për artet e bukura pothuaj mungonte krejtësisht. Nuk gjindeshin institute arsimore, kështu që çdo njeri pëparimdashës shtrëngohesh t‘emigronte jashtë, të kërkonte ardhmërinë e tij në vende të huaja. Në këto raste fati i njerëzvet është tepër i qartë: ose duhesh të bëheshin fanatikë për atdheun, ose duhesh të pranofshin realitetin e jetës dhe të trazoheshin me rrymën e egzistencës me një heshtje të thellë. Ja pra, Alexandër Moissi në këto kushte u hodh në gjirin e Austrisë, Gjermanisë, Çekosllovakisë. Aty luftoj me qindra vështirsira, me mijra pengime, në fillim thjeshtësisht për pengesë dhe më në fund për një famë të përbotshme!...

A kishte mundësi që në rrethana të këtilla, një djalosh i ardhur nga vendet më të thjeshta të Ballkanit, të proklamonte solemnisht origjinën e vet dhe të merrte pjesë në një luftë të hapët kombtare. Takti, atiqeta dhe realiteti i rëndë i jetës urdhrojshin ndalimin e një sinqeriteti të këtillë. Kështu nuk mund të quhet me vend dhe nuk mund të pranohet si e drejtë pretendimi, me të cilin kërkohet një shfaqje kombtare në fazën e parë të jetës së Moissit. Më në fund në këtë periudhë mund të quhet i pafaj. Por një rëndësi të madhe ka ndjenja me mendimet e tija në fazën e dytë të karjerës. Sepse në këtë epokë Moissi është i fortë, ka arritur maturitetin, ka ngadhënjyer famën, botërore dhe është në gjendje të shfaqi mendimet e tija mbi rracën dhe origjinën e vet. E pra, në këtë kohë gjejmë përgjigjen siç mund t‘a dëshronte zemra e jonë. Për këtë kemi mjaft dokumente. Kolonirat t‘ona në Vjenë, në Bukuresht i dëshmojnë pohimet atdhetare t‘artistit. Në revistën "Djalëria" që botohesh prej Universitarvet shqiptarë në Vjenë, kemi aspekte të bukura për këto shprehje. Prapë në gazetat e kolonisë shqiptare të Bukureshtit përballohemi me pohime të sinqerta për rracën e artistit. Shkrimtari i jonë i dashur dhe i vlefshëm Gjergj Bubani, mundet të na kallëzojë gjëra të bukura rreth këtyre kujtimevet historike. Kemi shpresë dhe bindje të plotë se do të na japin dokumente të tjera intelektualët, mentarët, dhe shkrimtarët t‘onë të shquar, që patën rastin e bukur të flasin personalisht me Alexandër Moissin. Opinjoni publik pret një shërbim nga njerëzit t‘onë të kulturës. Llazër Shantoja, Nush Bushai, Kristo Maloku, Karl Gurakuqi, Eqrem Çabej dhe prof. Buda duhet të japin një kontribut në këtë fushë. Ata e dinë fare mirë se nderimi, përvetsimi i këtyre lloj njerëzvet gjenialë vërteton maturitetin e ndërgjegjës kombtare dhe pjekmëninë kulturore të shoqërisë t‘onë. Alexandër Moissi ka marrë pjesë shpesh herë ndër darka, çaje e ballo që janë organizuar në nder të tij prej studentëve shqiptarë ndën kryesinë e të ndjerit konsullit t‘onë të vlefshëm Gjergj Pekmezi. Moissi për hera ka pasë shfaqur një gëzim dhe një mirënjohje karshi këtyre simpatirave e nderimeve. Një ditë në hotelin Hupert Hof kishte ardhur me një kostum me ngjyrë kuq e zi. Me këtë dëshironte të shfaqte gëzimin për flamurin shqiptar q‘është simboli i mallëngjimit dhe që përmblithte në gjirin e vet gjith basktadhetarët e tij në çdo kënd të botës. Ay shumë herë kishte shfaqur dëshirën e vet dhe kishte folur me konsullin t‘onë të ndjerin Gjergj Pekmezin për një vizitë në Shqipëri. Dinte fare mirë se në këtë vend të vogël e të varfër nuk kishte asnjë jetë artistike, estetike as për edhe një mungesën e një publikut theatral. Me gjithë këtë gjenia e madhe e rracës s‘onë prapë ishte mjaft kurjoz dhe dëshironte të njihte së afërmi vatrën e tij. Deri në vdekje, konsulli Pekmezi i mbajti marrdhënjet me koloninë shqiptare. Nga këto shpjegime dhe nga disa dokumente të tjera që do të përmendim në një artikull të dytë, Alexandër Moissi del në shesh se nga hera ka patur pohuarë rracën e tij dhe përherë ka shfaqur një gëzim për gjakun e vet. Ja pra, ky është djaloshi i panjohur që një ditë dolli nga Durrësi i jonë i bukur dhe arriti të sundojë më tepër se një çerek shekullit të gjithë botën theatrale t‘Europës dhe të kontinetevet të ndryshme dyke valëvitur si një flamur kapacitetin kulturor të rracës shqiptare!

Vasfa

Aleksandër Moisu në skenat e Berlinit

Vasfi Samimi

(Copëza të zgjedhura nga artikulli i dr. Vasfi Samim Visokës botuar në revistën "Shkëndija" nr. 3)

Berlin... 29.3.1932... Një mbrëmje pranverore me lagështirë... Zbres nga tramvaj dhe gjendem përpara një ndërtese të madhe... Dyert e sallonet ndizen nga dritat plot vezullime. Berliner-Theatër-Charlotten strasse. 29-93-S.W.86...

Për të ditur se në ç‘vend të math të këtij qyteti të shtrirë do të gjendesha - si çdo, i huaj - vështrova me kujdes edhe një herë rreth meje. Po, pikërisht këtu ishte tempulli i artit ku Aleksandër Moisiu sonte do të interpretonte pjesën e parë të faustit... Tashti jam i qetë... Bije zilja e fundit. Dritat i mbyllin sytë njëra-tjetrës dhe secili person shkon në vendin e tij... Zëri i hapave të fundit duket sikur humbet në heshtjen e thellë dhe sikur tërhiqet në venitjen e dritave të zbehta... Tashti në këtë tempull arti janë çelur vetëm zëmrat dhe mëndjet... Largohemi nga jeta e përditshme për të hyrë në një botë tjetër! Po emigrojmë shpirtërisht!

***

... Po shoh me vërejtje Aleksandër Moisiu si i shëmbëllen shqiptyarit? Nga të gjitha... Vazhdimisht, pa m‘u lodhur sytë dhe pa m‘u tretur mendimet, po vështroj këtë mbret t‘artit, këtë mrekulli të ndjenjave... Po, ky ishte një shqiptar tipik... Shqiptar i vogël, i lindur në gjirin e kaltërt të bregdetit të Durrësit, në ujrat e kristalta të ranishtave të florinjta, në horizontet ku perëndon dielli si një trëndafil i thyer më nj‘anë...

Artisti...

Aleksandër Moisiu...

Moisiu i ynë!

Një rast i çudtishëm, një fat i math e ka hedhur artistin shqiptar në këto vise veriore, të ftohta e të rënda, por të thella e të ndjeshme në jetën shpirtërore e mendore. Në këto vende të huaja ai fluturon drejt horizonteve plot lavdi e famë, duke mbajtur ndër duart frenat e mëndafshta të qerres së triumfit të artit... Lartësohet si një Perëndi në botën e brendshme të zëmrave, mendimeve, të ndjenjave dhe të vetëdijeve; e qysh prej 25 vjetësh me këtë hov vrapon nga Praga në Berlin, nga Berlini në Vienë, nga Viena në Moskë, nga Moska në Londër dhe prej këtej në New-York dhe në shumë qytete të tjerë të Europës, duke shpërndar dritën e tij frymëzuese e gjeniale... Ky shqiptar i vogël me shtat por i math me shpirt, me ndjenja të holla, me zgjuarsi natyrale dhe me artin e tij mjeshtëror, sundon të gjitha skenat në mënyrë të çuditshme dhe ngre në fronin e artit të rracës shqiptare, pa ndonjë kundërshtim, në të gjitha këto vise të huaja!

***

Lë turmën dhe ndal nga salloni i përmbytur në mendime. Më vjen sikur nuk më mbajnë dot këmbët e ndiej veten të lodhur e të këputur. A është kjo ndonjë ndjenjë mërgimi apo ndonjë dehje që vjen nga shija e artit? Nuk e di! Për një çast e gjej veten përpara portës së madhe të teatrit. Jam vetëm. Ngre kokën në këtë vetmi të natës dhe vështroj përpjetë. Aty shndrit një emër në dritat e elektrikut: Aleksandër Moisiu dhe pastaj Berliner Teatër! Si ndonjë i sëmur përshpëris me vete:

Shqipëria ime!

Berlin,

Aleksandër Moisi.

***

Nuk e di se çfarë ndjenje malli më tërheq drejt largësive të jugut të Adriatikut, drejt atdheut dhe drejt vatrës sime... Atje në jug, në një kënd të Ballkanit, në një anë të djathtë të Adriatikut të kaltërt, gjendet një liman i vogël: Shqipëria e Durrësi! Djepi i Moisiut të madh...! Kushedi, Shqipëria tashti do të ketë rënë në gjumin e thellë të kësaj ore të vonshme të natës, që nuk njihet dhe nuk jetohet atje... Ǒfat i çuditshëm, ç‘ndarje me thellë e pikëlluese; ç‘kontrast!... Një diell arti që po lind po në atë vend, po flakëron tashti këtu, në qiellin e Gjermanisë, në zëmrën e Berlinit... Një yll ndjesie, që doli për herën e parë në atë vend të harruar e të përhumbur, po rrëzëllen tashti këtu, mu në zëmrën e Eurpoës... Vallë, a do të kthehet ndonjëherë në vatrën e tij? Gjysmë i mahnitur përgjigjem dhe belbëtoj me vete:

Berlin,

Moisu,

Shqipëria!

Tashti i shëmbëllej një njeriu të tërhequr nga bota, një njeriu që posa ka dalë nga tempulli. Më duket sikur të gjitha dritat e këtij qyteti të madh bien mbi mua. Më duket sikur po më përvëlojnë në këtë natë pranvere me lagështirë... Më vjen sikur po më qërtojnë zërat e ashpër të automobilave e të tramvajeve që shkasin nga çdo anë... Janë derdhur lloj-lloj ngjyrash drite në asfaltet e lagur. Më tutje po më veniten sytë me dritat e verdha të mjerimit. Këndej hijet, që mbështillen në mantot e peliçet, po rëshqasin plot gaz e me dredhi. Më tutje disa hapa të shpejtë të njerëzve të përvuajtur që qysh tashti mendojnë jetën e ashpër, të nesërmen. Një polic pret të kapë tentativat që shtrëngohen të kapërcejnë ligjet e shoqërisë, dhe, më në fund, një lypës i rrëzuar në një kënd të këtij qyteti të math!...

Të gjitha këto duket sikur po lozin dramën e vërtetë të jetës!

Edhe unë në mes të kësaj bote, po rrëshqas si një hije e errët, e pezmatuar. Në brendësinë time, ende buçasin erërat e ndryshme plot ndjenja e mendime. Më duket sikur po mbaj një barrë të rëndë pafatsie në supet e mi. Nuk e di, as që mund të vendos... Triumfin e Aleksandër Moisiut t‘a duartrokas apo t‘a qaj!? A ta lartësoj këtë mrekulli të rracës sonë apo të qaj fatin e zi të atdheut tim? Në kraharorin tim po valojnë flakë të mrekullueshme të një arti sundues dhe në sytë e mi po derdhen dy bulëza loti, mjerimi e mërgimi. Dhe nuk mund të vendos flinë e kombit tim për kulturën e njerëzimit... sepse e gjithë bota ku ka sunduar ai nuk e ka ditur të vërtetën ashtu siç duhet!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›