E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naçi: Shkelet statuti, nuk ka platformë

Zgjedhjet për kreun e Komunitetit Mysliman kanë ngjallur
shumë diskutime në komunitet mes besimtarëve. Ajo që
duan të gjithë është që në datën 21 të zhvillohet një proces
normal zgjedhor dhe të respektohet statuti i këtij komuniteti.
Sipas këtij statuti, duhet të ketë të paktën dy kandidatë
në garë. Këta duhet të shpallin platformën e tyre dy javë
përpara zgjedhjeve. Ndërkohë që Këshilli i Përgjithshëm
drejtues i këtij komuniteti, i përbërë nga myftinj të çdo rrethi,
të shoqëruar edhe nga një besimtar, duhet të njoftohen
për çdo mbledhje dy javë përpara. Sipas imamëve të
kryeqytetit, kjo nuk ka ndodhur me mbledhjen e fundit. Sipas
imamit Elvis Naçi, statusi është thyer në tre momente.
I pari kur njoftimi nuk është bërë dy javë përpara, i dyti që
në zgjedhje duhet të ketë edhe kandidatë të tjerë të cilët
duhet të shpallin platformën e tyre dhe procesi duhet të
jetë i rregullt dhe transparent. "Ajo që ka rëndësi është
respektimi i statusit dhe në të njëjtën kohë që kreu i Komunitetit
Mysliman të gëzojë respekt dhe të jetë i pëlqyeshëm
nga komuniteti", tha Naçi. Pas njoftimit se në datën 21 do
të ketë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm dhe njëkohësisht
do të zgjidhet edhe kreu i Komunitetit Mysliman,
pas mbarimit të mandatit të Selim Muçës, janë mbledhur
edhe këshillat e xhamive të Tiranës, të cilët kanë kërkuar
që të merren masa për një proces normal zgjedhor, duke
respektuar të gjitha rregullat.
Sipas besimtarëve, në rast se nuk do të ketë respektim të
rregullave, atëherë ata do të falen pasivisht një ditë para
zgjedhjeve. Ndërkaq, ka pasur reagime nga Komuniteti
Mysliman. Sipas Selim Muçës, në rast se ndodh diçka
e tillë, atëherë do të kërkohet ndihma e policisë. Sipas
Muçës, institucioni i tij nuk ka dhënë asnjë leje për falje
masive. Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman prej
90 vetash, do të mblidhet në Medresenë e Kavajës, në datë
21 mars.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›