Ura Vajgurore, banorët kundërshtojnë devijimin e projektit të rrugës
Banorët e lagjes 4 Shtatori në qytetin e Urës Vajgurore kanë qenë kundër ndryshimit të projektit të rrugës në lagjen e tyre. Në këtë lagje, sipas banorëve po bëhet rikonstruksion i rrugës nga shkolla e mesme deri tek kryqëzimi që të çon drejt fshatrave Pashalli dhe Konizbaltë. Por ndryshe është bërë projekti për këtë rrugë dhe ndryshe po punohet për rikonstruksionin e saj.
Për këtë rrugë, nga Bashkia e Urës Vajgurore është akorduar një fond prej 275 milion lekësh dhe rruga është me gjatësi prej 800 m. Sipas projektit gjerësia do të jetë 7 m, ndërsa sipas projektit të hedhur në letra do të kishte trotuar rreth 1.5 metra vetëm në krahun e djathtë të rrugës, ndërsa nga ana e majtë nuk do të kishte. Por Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Urës- Vajgurore të kryesuar nga kryetari i bashkisë, Syrja Ormënaj ka nxjerrë një vendim për të pasur trotuare dhe në pjesën e majtë të rrugës. Kështu banorëve që kanë ndërtime në këtë segment rrugor iu është dhënë vendimi që të prishin 2 metër nga objektet e tyre,të cilën ata nuk e kanë kundërshtuar. Por në lidhje me vendimin e dytë, banori i kësaj lagjeje, Agim Çunaj ka kundërshtuar vendimin e KRRT- së duke mos lejuar që objekti i tij mos të prishet. Çunaj, i irrituar shprehet për gazetën se nuk do lejojë të prishet ndërtesa e tij dhe do të ndjekë me procedura ligjore këtë dëmtim që po i bëhet. Sipas tij, kryetari Ormënaj do që ta dëmtojë, duke e dëmshpërblyer për objektin, por sipas rregullave ligjore, ndërtesa e tij rreth 47 metra katrorë nuk cënon aspak segmentin rrugor. Çunaj shton se vendimit të parë i është përgjigjur bashkisë, ndërsa të dytin nuk do ta zbatojë pasi ai i prish të gjithë objektin e legalizuar dhe që sipas tij nuk është e drejtë që të bëhen devijime në projekt.
Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 09:42
Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 09:42