Tafaj: Profesorë të huaj në jurinë e doktorantëve shqiptarë
Doktorantët shqiptarë do të kenë më shumë reputacion dhe vlerë në nivel ndërkombëtar, në rast se në jurinë e vlerësimit të tyre do të ketë profesorë nga universitete të huaja. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në konferencën shkencore "Procesi i Bolonjës një realitet me shumë sfida për t’u zgjidhur”, zhvilluar në Universitetin e Tiranës, ka hedhur edhe këtë propozim. “Gjenerata e re e doktorantëve që futet në UT mund të angazhohet në mësimdhënie dhe në projektet e kërkimit shkencor. UT duhet të synojë që juria e doktorantëve të bëhet me një anëtar profesor të një universiteti të huaj. Kjo është shumë e rëndësishme për garën internacionale të UT-së”, theksoi ministri Tafaj në fjalën e tij. Sipas kreut të Arsimit, të gjithë universitetet tona duhet të fillojnë të mendojnë për të luajtur në ligën rajonale dhe internacionale. Ai tha se “universiteti duhet ta shohë veten në këtë garë në të gjitha aspektet, si në nivelin e mësimdhënies, në aspektin e kërkimit dhe sigurisht në nivelin e kërkimeve shkencore”.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Arsimit dhe Shkencës theksoi se reforma e sistemit të arsimit të lartë në përputhje me standardet e Bolonjës dhe performanca e tij në hapësirën europiane të arsimit të lartë kërkojnë më së pari një profesorat të niveleve europiane. “Objektivi ynë politik është promovimi i shpejtë i të rinjve për krijimin e profesoratit të ri në Shqipëri. Baza për këtë është shkolla e doktoratës”, cilësoi Tafaj.
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, vlerësoi se nevojiten më shumë përpjekje për harmonizimin e arsimit të lartë në vend me ato që përcaktohen në Kartën e Bolonjës, si një proces mbarë europian i zhvillimit të arsimit të lartë. "Kjo konferencë është një hap me rëndësi për të mundësuar zhvillimin e procesit të Bolonjës në universitetet tona", tha rektori Kule. Ai shtoi se "gjatë këtyre viteve ne kemi arritur me sukses të përfshijmë në sistemin tonë arsimor modelin europian dhe tani duhet që ta përmirësojmë këtë sistem që kemi përfshirë”.
Rektori Kule vendosi theksin në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe në organizimin e studimeve universitare, sikurse theksoi nevojën për ligjin për financimin e universiteteve. “Besoj se brenda vitit ministria do të ketë përfunduar hartimin e ligjit për financimin e universiteteve, që do t'i japë një tjetër rol autonomisë sonë”, theksoi prof. dr. Dhori Kule.
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, e përqendroi vëmendjen edhe në përmirësimin e kushteve për studentët dhe pedagogët, duke deklaruar edhe përparësitë që ka Universiteti i Tiranës, si universiteti më i madh në vend në këtë aspekt. "Universiteti i Tiranës ka 1/5 e pedagogëve që kemi ne sot në arsimin e lartë, por ka 1/3 e pedagogëve që kanë gradën doktor, apo titullin profesor i asociuar dhe profesor", tha ministri Tafaj, duke theksuar se është e nevojshme që të rriten mundësitë për kualifikimin e pedagogëve të rinj, sikurse edhe për rikthimin në atdhe të të gjithë emigrantëve të suksesshëm.
Gjatë kësaj konference u shkëmbyen përvojat, mendimet dhe pikëpamjet kryesisht për reformën në kurrikula. Përveç aspekteve të strukturës, fokusi do të vendoset në çështje të përmbajtjes dhe kualifikimeve që fitojnë të diplomuarit pas çdo cikli studimi. Në të referuan gjithashtu përfaqësues nga të tetë fakultetet e Universitetit të Tiranës, në lidhje me sfidat e ardhshme të arsimit të lartë në vend, në kuadër të procesit të Bolonjës. Konferenca me këtë çështje do të vijojnë edhe gjatë muajve në vijim, në institucione të tjera të arsimit të lartë.
#