E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Token ma ka lene babai"

Redinalda Caushaj
Oficeri i Sherbimit te Kontrollit te Brendshem ne Tirane hedh poshte akuzat e ngritura nga prokuroria per falsifikim te nje siperfaqe toke prane ish-Parkut te Autobuseve. "Ajo eshte toka ime dhe nese ka ndonje person tjeter, qe pretendon se e ka me dokumente, le te beje denoncim", eshte shprehur Dali Hakorja, dje, gjate mases se sigurise ne Gjykaten e Tiranes. Oficeri ka qene i fundit per mase, ndersa tre zyrtaret e Hipotekes dhe dy te akuzuarit si seksere u paraqiten per rikonfirmim vleresimi dhe per te gjashte u vendos "arrest me burg" deri ne fund te hetimeve. Nje prej akuzave, qe rendon mbi zyrtaret, eshte dhe ajo e "korrupsionit pasiv e aktiv".
Dy gjyqtare jane caktuar per vleresimin e mases se sigurise per gjashte te arrestuarit e operacionit "Furtuna" per tjetersimin e titujve te pronesise ne 13 raste dhe me nje ryshfet qe mendohet se shkon ne 45 mije euro. Altin Shkurti dhe Agim Bendo per disa ore kane dhene masen "arrest me burg" per gjashte te pandehurit, ndersa nje situate e ndere ka mbizoteruar te familjaret. Te akuzuarit u pyeten ne dy pjese, tre e nga tre. Ne procesin e pare u vleresua masa per 3 zyrtaret e Hipotekes dhe ne tjetrin per oficerin e SHKB-se dhe dy te dyshuarit si seksere. Tre zyrtaret Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj dhe Enton Babameto mesohet te kene mohuar akuzat e bera nga prokurori Gentian Osmani ne seancen me dyer te mbyllura. Te njejten gje kane bere edhe Veiz Senko e Halil Hima, te cileve iu kapen edhe 13 vula institucionesh.
Me i ashper ka qene oficeri i SHKB-se, Dali Hakorja, i cili pretendoi arrestim te padrejte. Ai akuzohet se ka pervetesuar nje truall ne menyre te paligjshme, duke nderhyre te zyrtaret e hipotekes. "Une letrat ne rregull i kisha, po nuk e di pse me kane arrestuar. Ajo toke eshte me dokumentet e babait tim dhe nuk di per cfare me akuzoni. Askush nuk ka dale te me akuzoje se i kam marre token, nuk ka denoncim ndaj meje", eshte shprehur oficeri. Madje, ka shtuar se, nese kishte ndonje person qe pretendonte pronesine, te behej kallezim. Me gjithe deshmine e dhene, Hakorja ka mbetur ne qeli deri ne fund te hetimeve. Burime nga prokuroria thane se te dyshuarit si sekser, Halil Himes i jane gjetur ne makine nje sere dokumentesh te falsifikuara, ndersa i ndaluari pretendoi se ishin te rregullta.
Denoncimi qe zbuloi grupin
Zyrtaret, oficeri i SHKB-se dhe dy sekseret rane ne pranga kater dite me pare ne saje te operacionit te koduar "Furtuna". Nderkohe qe hetimet per ta kane nisur dy muaj me pare, kur jane vene ne pergjim nga ana e prokurorise pas denoncimit te bere nga nje pronar toke. Gjate vleresimit te mases se sigurise, asnje prej te akuzuarve nuk e ka pranuar akuzen perpara gjykates, nderkohe qe kane kerkuar lirimin e tyre te menjehershem. Burime policore thane se nen hetim jane edhe tre zyrtare te tjere, nga te cilet dy te Hipotekes dhe nje polic.

Te dyshuarit:
Artan Mehmeti, specialist
Ramiz Hykja, specialist
Enton Babameto, specialist
Dali Hakorja, oficer i SHKB
Veiz Senko, sekser
Halil Hima, sekser
Akuzat:
"Korrupsion pasiv"
"Shperdorim detyre"
"Falsifikim dokumentesh"
"Tjetersim te prones"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›