E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Tokio 2020”, Fidel Ylli takim me ambasadorin e Japonisë

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë në kulmin e përgatitjeve të delegacioneve sportive pjesëmarrëse. Një gjë e tillë ndodh dhe me Shqipërinë, e cila veç përgatitjes së 9 olimpistëve, është në punë e sipër për gjithçka që lidhet me mbarëvajtjen e delegacionit kuqezi në këtë Olimpiadë. Ndaj dhe të enjten në mesditë, në ambientet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, presidenti Fidel Ylli ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Japonisë në Tiranë, Takada Mitsujuki.

 I pari i olimpizmit shqiptar i ka dorëzuar ftesën ambasadorit të Japonisë në vendin tonë për të marrë pjesë në Mbrëmjen Gala të dorëzimit të flamurit për delegacionin olimpik shqiptar, ndërsa e ka informuar për të gjithë zyrtarët e lartë të qeverisë që do të jenë më 14 korrik në Pallatin e Brigadave. Dhe pasi kanë shkëmbyer dhe dhuratat me njëri-tjetrit, ambasadori Takada Mitsujuki i është përgjigjur interesimit të RTSH Sport se sa të rëndësishme janë këto Lojëra Olimpike në Tokio dhe se çfarë do të ndodhte nëse këto Lojëra nuk do të zhvilloheshin për shkak të Pandemisë Covid-19.

 “Qeveria japoneze është duke bërë maksimumin që këto Lojëra të jenë të sigurta për sa i përket Covid-19. Janë bërë tashmë të gjitha përgatitjet e gjithçka është gati. Dhe ne jemi të kënaqur që Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre Lojërave, ndërsa nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese delegacionit kuqezi. Këto Lojëra Olimpike janë të rëndësishme për të gjithë Botën, jo vetëm për Japoninë”.

Ndërkohë presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka zbuluar qëllimin e këtij takimi me ambasadorin japonez.

“Kemi zhvilluar dhe dy takime të tjera me ambasadorin japonez dhe me stafin e tij, përsa i përket bashkëpunimit për Lojërat Olimpike. Por kemi patur dhe bashkëpunime të tjera, si me ambasadorin tonë që është në Tokio, Gjergji Teneqexhiu që na ka ndihmuar me informacione, jo vetëm për Covid. Një bashkëpunim kemi patur edhe me parlamentin japonez, me dy deputetë, njëri prej të cilëve ka qenë mundës dhe ka marrë ekipin tonë të mundjes në Tokio, një muaj për tu stërvitur”, ka deklaruar Ylli.

Madje ka treguar se projektet e bashkëpunimit me Ambasadën e Japonisë në Tiranë do të vijojnë dhe pas Lojërave Olimpike në Tokio.

“Sigurisht që ne kemi patur projekte, kemi dhe do vazhdojmë të kemi. Ne do të shtojmë shumë shpejt stafin e Komitetit Olimpik dhe puna do të vazhdojë. Ambasadori është i gatshëm që projektet shumë shpejt të bëhen realitet”, ka përfunduar Ylli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›