Shahu dhe kampionët e rinj

Shahu shqiptar në mbrëmjen e së mërkurës ka shpallur kampionët e moshave. Kampionati që nga mosha 8 vjeç deri më 18 vjeç, djem e vajza, është zhvilluar në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Kosova”. Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, rrëfen për RTSH Sport masivitetin që ka sporti i katrorëve bardhezi: “Gjithçka u realizua me sukses, me një pjesëmarrje shumë të madhe, me një cilësi sportive shumë të mirë”.
Por cilët ishin kampionët e rinj? Për moshën 8 vjeç, Henri Troshani. Në grupmoshën deri në 10 vjeç dominuan Dionis Senjo e Ailin Ndreko. Kampion për 12-vjeçarët, Mateo Boçi e Kler Caku. Kelvin Kosta e Eklea Omeri ishin të parët për 14 vjeç. Alekandër Xhembulla kampion i 16-vjeçarëve, kurse grupmosha e 18-vjeçarëve u dominua nga Ergit Ramaj dhe Klean Shuqja. Cilësisht a mund të përfitohet ndonjë talent që nesër të jetë Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar si Erald Dervishi?
“Duke patur këtë dëshirë, masivizim por edhe cilësi, realisht kemi të gjitha arsyet të besojmë, që jo vetëm mund të prodhojmë mjeshtra të mëdhenj në nivelin tim, por dhe shumë herë më të mirë se sa unë”, ka deklaruar Dervishi.
Shahu është sport që kërkon durim dhe punë të madhe. Ja dhe mesazhi i të parit të katrorëve bardhezi shqiptare për të gjithë këta fëmijë për të mos e lënë në mes këtë sport, sikurse mund të ndodhë dhe me disiplina të tjera sportive.
“Nuk ka asgjë në jetë që nuk do punë dhe durim. Talenti është diçka, por është vetëm fillimi I një destinacioni të caktuar. Pa punë dhe vullnet nuk mund të realizosh asgjë, në çdo sferë të jetës”, ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi.