E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tola, shqiptari i Vancouver 2010

(ALBANIA SPORT) – Skiatori Erjon Tola do të jetë sportisti i vetëm shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat e 21-ta Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Vankuver të Kanadasë nga data 12 deri më 18 shkurt 2010.
Duke qenë edhe sportisti i vetëm, Tola, i stërvitur nga trajneri italian, Roberto Bonavita, është edhe flamurmbajtësi kuqezi gjatë ceremonisë zyrtare, ku marrin pjesë skiatorë thuajse nga më shumë se 80 vende. 
Në ceremoninë e çeljes së Lojërave, Shqipëria do të jetë e dyta që do të parakalojë.
Gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar në selinë e Presidencës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi përshëndeti delegacionin shqiptar pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore të Vankuverit 2010 duke i dorëzuar edhe flamurin kombëtar skiatorit Erjon Tola.
Në këtë ceremoni ku ishin të pranishëm Presidenti i KOKSH-it, Agim Fagu; zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it dhe Përfaqësues të Federatës Shqiptare të Skive. 
“Moment emocionant për Erionin, i cili ndonëse përfaqesues i vetëm në këto gara, do jetë ai që do ketë në dorë flamurin kombëtar me një mesazh shumë të forte. Do të dëshironim pjesëmarrje më të gjërë, por tek e fundit pjesëmarrja është e rendësishme”, - tha presidenti i Republikës.
“Lojërat Olimpik përfaqësojnë jo vetëm aktivitetin më të madh sportiv, por ato janë edhe një mesazh i madh për të gjithë komunitetin ndërkombëtar: të ndërtojmë së bashku një botë me paqe, miqësi dhe tolerancë”, -tha presidenti i KOKSH-it, Agim Fagu.
Për 23-vjeçarin me banim në Aosta të Italisë, kjo do të jetë hera e dytë që do të përfaqësojë vendin tonë në një veprimtari të rangut planetar, pas asaj në “Torino 2006, të cilat ishin edhe të parat historike të Shqipërisë.
“Jam shumë krenar dhe i lumtur që do të përfaqësoj Shqipërinë për herën e dytë në Olimpiadë. Shpresoj që të jem një shembull për gjithë moshatarët e mi. Madje u bëj apel ta ushtrojnë këtë sport pasi është tepër i veçantë, pse jo edhe sporti më i pastër në botë”, - u shpreh skiatori Tola.
Në “Torino 2006”, Erjon Tola arriti të përfundojë dy nga tre garat ku morri pjesë. Në Super G, Tola u rendit në vendine 56-të (koha 1:44.27), në sllallomin gjigant në vendin e 35-të (1:30.87), ndërkohë që për një problem me slitën e skive nuk u arriti ta përfundojë garën e sllallomit.
LOJËRAT E TRETA
Këto janë lojërat e treta olimpike dimërore që zhvillohen në Kanada, pas atyre të vitit 1976 në Montreal dhe 1998 në Kalgari. Në Lojërat Olimpike “Vancouver 2010” do të garohet në 15 disiplina sportive.
MBIZOTËRON AMERIKA
Numrin më të madh të pjesëmarrësve e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 216 sportistë, e ndjekur nga Kanadaja me 206, Gjermania 153, Zvicra 133, Rusia 117.
KOSTOJA E LOJËRAVE
Kostoja e Lojërave Olimpike sipas vlerësimeve të ekspertëve ka arritur në 6 miliardë dollarë, por të ardhurat parashikohen të shkojnë në 10 miliardë, ku fitimi neto pritet të jetë për organizatorët në kufijtë e 1 miliard dollarëve.
CEREMONIA E HAPJES
Vetëm Ceremonia e Hapjes (12 shkurt) do të kushtojë më shumë se 40 milionë dollarë, më e shtrenjta për Lojërat Dimëerore dhe e dyta më e shtrenjtëë pas ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Verore “Pekin 2008”. Kjo është dhe ceremonia e parë që do të zhvillohet në një stadium tërësisht të mbyllur.
PISHTARI OLIMPIK
Pishtari olimpik do të udhëtojë në Kanada për rreth 45 mijë kilometra, e kryer kjo në 106 ditë, udhëtimi më i gjatë në histori brenda një viti të vetëm. Flaka Olimpike do të mbahet nga të paktën 12 mijë kanadezë.
Garat e Erjon Tolës
1. Super G, 19 Shkurt 2010
2. Giant Slalom, 21 Shkurt 2010
3. Slalom, 27 Shkurt 2010
Ekipi olimpik
1. Shkëlqim Mema,shef Misioni
2. Erjon Tola, sportist
3. Roberto Bonavita, trajner
Skeda
Erjon Tola
Datëlindja: 15 Dhjetor 1986
Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore “Torino 2006” Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore“Vancouver 2010” Burimi: Albania-sport.comE Merkure, 03 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›